Ballina Lajme Botë Zelensky konfirmon se trupat ukrainase po luftojnë brenda Rusisë

Zelensky konfirmon se trupat ukrainase po luftojnë brenda Rusisë

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka pranuar për herë të parë se ushtria e tij po kryen një ofensivë ndërkufitare brenda rajonit perëndimor të Kurskut të Rusisë.

Marketing

Në  një video fjalim, Zelensky tha se ushtria e Ukrainës po e shtynte luftën në “territorin e agresorit”.

Kievi filloi sulmin e tij të befasishëm të martën, duke përparuar me shpejtësi më shumë se 10 kilometra  brenda Rusisë – sulmi më i thellë që kur Moska filloi pushtimin e saj në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt 2022.

Në Ukrainë, kryeqyteti Kiev dhe disa rajone të tjera u vunë nën një sulm me dron dhe raketë rus në orët e para të së dielës, thanë zyrtarët locale, raporton BBC.

Në fjalimin e tij, Zelensky falënderoi “luftëtarët” e Ukrainës dhe tha se kishte diskutuar operacionin në Rusi me komandantin e lartë ushtarak të vendit Oleksandr Syrskyi.

“Ukraina po provon se me të vërtetë mund të rivendosë drejtësinë dhe të sigurojë presionin e nevojshëm ndaj agresorit”, shtoi ai.

Rusia deri më tani ka luftuar për të ndaluar përparimin ukrainas, me më shumë se 76,000 njerëz të evakuuar nga rajoni i Kurskut dhe një regjim “kundër-terror” të vendosur në tre zona kufitare.

Kjo do të thotë se autoritetet në rajonet e Kursk, Belgorod dhe Bryansk mund të kufizojnë lëvizjen e njerëzve dhe automjeteve dhe të përdorin përgjimin e telefonit midis masave të tjera.

Luftimet dukej se po vazhdonin të shtunën mbrëma, me guvernatorin e Kurskut, Aleksei Smirnov, duke thënë herët të dielën se kishte njerëz të plagosur në një sulm “të pabesë” ukrainas.

Ai më herët raportoi se 13 persona u plagosën vonë të shtunën kur rrënojat e një rakete ukrainase të rrëzuar ranë në një ndërtesë shumëkatëshe në kryeqytetin rajonal Kursk.

Guvernatorët e rajoneve fqinje të Rusisë Voronezh dhe Belgorod raportuan gjithashtu një sulm ukrainas me dron gjatë natës. Ata nuk kanë përmendur lëndime.

Marketing
Exit mobile version