​Zelensky të martën në Tiranë, merr pjesë në Samitin për Ukrainën

Dy vjet pas nisjes së agresionit rus në Ukrainë, në Tiranë do të mbahet Samiti për Ukrainën, ku pritet të jetë i pranishëm edhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Marketing

Samiti Ukrainë-Europa Juglindore do të zhvillohet në datat 28 dhe 29 shkurt në Pallatin e Kongreseve, ku do të marrin pjesë 13 shtete të Europës Juglindore të përfaqësuar në nivel kryeministrash.

Në vizitën e tij të parë në Tiranë, Zelensky do të zhvillojë takime edhe me zyrtarët më të lartë të shtetit. Lideri ukrainas pritet të mbërrijë në Tiranë në mbrëmjen e 27 shkurtit, ndërsa më datë 28, të mërkurën, do të marrë pjesë në samitin ku do të jenë pjesëmarrës edhe disa nga zyrtarët më të lartë të Brukselit, liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe të Europës Juglindore.

Detajet e vizitës, nuk janë konfirmuar ende zyrtarisht për shkak të nivelit të lartë të sigurisë mbi të cilin do të zhvillohet kjo vizitë. Pjesë e këtij samiti, përmes një video mesazhi do të behet edhe Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, siç njoftoi vetë kryeministri Edi Rama nga Ankaraja më 20 shkurt.

Punimet e samitit do të zhvillohet në ambientet e pallatit të Kongreseve, aty ku do të mbahet ceremonia pritëse, ndërsa në përfundim të sesioneve të mbyllura për mediat do të ketë edhe një konferencë të përbashkët për shtyp.

Ndërsa më 29 shkurt në Tiranë do të takohen liderët e 6 vendeve të rajonit, të cilët do të diskutojnë për planin e rritjes ekonomike për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe integrimin europian. Në këtë takim pritet të jetë e pranishme edhe presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von Der Leyen. /rtsh/

Marketing