Zëvendëskryeministri i Parë Mexhiti mori pjesë në ‘Worlds Changers Balkan Summit’ që po zhvillon punimet në Shkup

Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti sot mori pjesë dhe kishte paraqitje në Worlds Changers Balkan Summit, që po zhvillon punimet në Shkup, e që ka të bëj me impaktin e Intelegjencës Artificiale në kohën moderne.

Marketing

Në prani të ish presidentit Shqiptar Ilir Meta, nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës Enver Hoxhaj, ministrit të Shëndetësisë Arben Taravari, diplomatëve dhe profesorëve të shumë universitar, Mexhiti tha se vizioni për përparimin e Maqedonisë së Veriut bazohet në një rrugë të qartë në të cilën po sigurohet zhvillim i qëndrueshëm, në bashkëpunim të ngushtë me institucionet arsimore, akademike dhe shkencore.

‘Vendi ynë duhet të jetë një hapësirë ku institucionet shtetërore dhe publike punojnë krah për krahu me fushën akademike sepse vetëm në këtë mënyrë mund të sigurohemi që çdo vendim do të bazohet në fakte të vërtetuara dhe të verifikuara shkencërisht, të miratuara me ndihmën e njerëzve profesionistë që mendojnë dhe punojnë në bazë të standardeve objektive’ tha Mexhiti duke shtuar se koha jonë karakterizohet në njërën anë nga përparimi teknologjik tepër i shpejtë, dhe nga ana tjetër njëkohësisht edhe me krizat globale që kërkojnë përgjigje në kohë dhe adekuate.

Mexhiti tha se pa marrë parasysh se a bëhet fjalë për ndryshimet klimatike, sfidat energjetike, apo stërngarkimin e sistemeve shëndetësore, përgjigjet ndaj këtyre problemeve duhet të bazohen në shkencë.

‘Politikat e bazuara në shkencë na lejojnë t’i integrojmë nevojat e shtetit dhe t’i përshtatim me tendencat globale.
Nuk mund të flasim për zhvillim të qëndrueshëm pa përmendur krizën energjetike që herë pas here trondit gjithë botën, përfshirë edhe vendin tonë. Duhet të lëvizim së bashku me ju, përfaqësues të komunitetit shkencor dhe akademik, drejt kërkimit dhe zbatimit të zgjidhjeve më moderne në Maqedoninë e Veriut. Investimi në burimet e rinovueshme, ruajtja e balancit energjetik, investimi në efikasitetin energjetik janë një sfidë për çdo vend që mendon seriozisht për të ardhmen e tij’ tha në adresimin e tij zëvendës kryeministri i Parë Izet Mexhiti.

Mexhiti tha se qeveria është duke punuar në modele krahasuese evropiane që do të nënkupton projekte serioze për tejkalimin e hendekut ekologjik që ka Maqedonia e Veriut në krahasim me Bashkimin Evropian.