Zgjedhjet e së dielës në Bullgari treguan se kryeministri Bojko Borisov do të ketë shumë vështirësi të ruajë pushtetin, pasi sipas rezultateve është rritur mbështetja për partitë anti-establishment, të cilat kundërshtojnë qeverisjen e Borisov.
Rezultatet tregojnë se partia e tij e qendrës së djathtë GERB mbetet grupimi më i madh në parlament, por me vetëm 25.2% të votave, krahasuar me 33.5% që fitoi katër vjet më parë.
Një parti e re anti-establishment e themeluar nga këngëtari Slavi Trifonovrezultoi, e dyta me 17-17.5% dhe dy parti të tjera kundërshtare që refuzojnë Borissov po ashtu pritet të hyjnë në parlament dhe socialistët opozitarë që fituan 15-16 % e votave.
Javët e bisedimeve, apo edhe të tjera zgjedhje nuk mund të përjashtohen, që do të thotë se Bullgaria, anëtari më i varfër i Bashkimit Evropian, mund të ketë vështirësi të kapë fondin e rimëkëmbjes nga koronavirusit prej 750 miliardë eurosh të BE-së.
Pak para daljes së rezultatet zyrtare, Borissov tha se GERB kishte fituar dhe u bëri thirrje udhëheqësve të opozitës të konsiderojnë një qeveri të gjerë.
“Pra, kundërshtarët e mi të dashur, ju njoh të gjithëve. Shumica prej jush kanë punuar me mua. Festoni, ju jeni në parlament, jeni bërë deputetë. Ky ishte qëllimi juaj që nga vera (e vitit 2020). Ju keni dashur një ‘grusht shteti’, po thoshit se njerëzit nuk na donin. Tani, ju e shihni: fushata më paqësore, më tolerante, më pozitive. Unë ju ofroj paqe. Le të marrim përgjegjësinë dhe të bëjmë përpjekjet maksimale dhe deri në dhjetor ta nxjerrim Bullgarinë nga pandemia, le të fillojmë të ecim përpara. Kjo është ofertë ime për të gjithë “, u shpreh Bojko Borissov.
Një ish-zjarrfikës dhe truprojë, Borissov, 61-vjeç, u përpoq të tregonte sukseset e tij në modernizimin e infrastrukturës të Bullgarisë ndonëse popullariteti i tij ra vitin e kaluar nga tubimet masive kundër korrupsionit dhe fuqisë së oligarkëve.
Qeveria e Borissov ka siguruar një rritje prej 36% të pagës mesatare mujore ka mbajtur borxhin publik të ulët dhe ka siguruar hyrjen në “dhomën e pritjes” për t’u bashkuar me monedhën e euros.
Por, dështimi i tij për të trajtuar korrupsionin dhe reformën në drejtës shkaktoi protesta masive gjatë vitit 2020.
Protestuesit akuzuan Borissov për bashkëpunim me oligarkët vendas, akuza që ai i mohon.
Sipas “Amnesty International Bullgaria” renditet si shteti anëtar më i korruptuar i BE-së . Një raport i fundit i departamentit amerikan të shtetit mbi të drejtat e njeriut nënvizon probleme serioze me pavarësinë e gjyqësorit dhe lirinë e medias në vend.