Zgjedhjet në dioptrinë e Antikorrupsionit

Ndarja e politikës nga shteti në Maqedoninë e Veriut është e vështirë, ose nuk kuptohet si duhet. Tanimë kur fushata për zgjedhjet presidenciale të 21 prillit ka filluar, nga Komisioni për Parandalimin e Korrupsionit thonë se këto zgjedhje do t’i ndjekin me kapacitet të pamjaftueshme teknik dhe kadrovik, por se do të shfrytëzojnë edhe ndihmën e organizatave me të cilat kanë lidhur Memorandume bashkëpunimi.

Marketing

“Zgjedhjet në këtë fazë do të mund t’i përcjellim nga ajo që do të paraqitet, nga aplikacionet e prezantuara. Por, edhe nga të gjithë faktorët tjerë relavant me të cilët kemi nënshkruar dhe ndërtuar bashkëpunim, ndërsa pas zgjedhjeve ka plane që të ekipohet sekretariati i Komisionit në mënyrë që të mund të arrijë që të ushtroj kompetencat sipas ligjit të ri”, deklaroi për gazetën KOHA, Nuri Bajrami, nënkryetar i Komisionit për parandalimin e korrupsionit.

Bajrami thekson se Komisioni për Antikorrupsion përbëhet prej shtatë anëtarëve ndërsa si shërbim profesional ka sekretariatin i cili për momentin numëron vetëm se 20 anëtarë, që është numër i vogël për të ushtruar kompetencat sipas ligjit të ri.

Ndërsa për gjykatësit “svarovski”, të cilët u apostrofuan në Raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH), numri dy i Antikorrupsionit thotë se si të gjithë personat tjerë të zgjedhur dhe emëruar, as gjykatësit nuk mund të bëjnë përjashtime nga puna të cilën sipas ligjit e kryen komisioni.

“Gjykatësit nuk janë asgjë më shumë se sa njerëz të zgjedhur, të emëruar dhe të caktuar në një detyrë dhe nuk ka nevojë të bëhet përjashtime për cilin do qoftë. Korrupsioni mund të jetë gjithkund. Ne nuk merremi me target grupe siç merret policia dhe prokuroria. Ne merremi me dyshime, prandaj edhe emrin e ka Komisioni për parandalimin e Korrupsionit. Për të gjitha dyshimet jemi të detyruar të ngremë iniciativa që mos fillojnë dukurit të rriten, sepse rritja e dukurive korruptive, rrit edhe paratë korruptive dhe ato para nuk ke ku ti investosh përveç se në korrupsion”, nënvizon Bajarami.

Përndryshe, së fundmi Komisioni për parandalimin e korrupsionit ka ngritur mbi 40 lëndë për nepotizëm për ish-funksionarë dhe funksionarë aktual. Ende asnjë nga këto lëndë nuk ka marrë epilog përfundimtar, ndërsa Bajrami përjashton presionin politik ndaj komisionit.

Marketing