Zgjedhjet/ Zaev në Strumicë, Kasami në Zajaz

Kandidati për kryeministër nga Koalicioni “Mundemi”, Zoran Zaev, e nisi fushatën nga qyteti i tij i lindjes, Strumica. Kreu i LSDM-së, Zaev, me këtë rast tha se në mandatin e kaluar qeverisës u arrit zgjidhja e çështjeve mjaft të rëndësishme që mbanin me vite peng Maqedoninë e Veriut. Bartësit e listës zgjedhore për deputetë nga njësia zgjedhore 4 premtuan rritje të pagës mesatare për 30 për qind, ndërsa paga minimale mbi 40%. U premtuan se pensionet do të rriten për 21%, kurse sa i përket sektorit privat u premtuan 600 milionë euro mbështetje financiare.
“Çdo segment të jetesës e kemi mbuluar me rezultate të dukshme dhe numra me të cilat mund të krenohemi në kohën kur i zgjodhëm çështjet kryesore. Edhe përkundër këtyre çështjeve zgjodhëm një nga problematikat historike që ka ngulfatur Maqedoninë tonë gjithmonë, të jemi vendi që do të njihet në botë, siç thotë Kosta, me kufij të mbrojtur, integritet të plotë territorial të shtetit, i cili do të jetë i garantuar dhe askush më të mos bëjë bajram me mendjen se do ta përçajë, do të ndajë dhe ngjashëm. Sot jemi anëtar i NATO-s.”,– deklaroi kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.
Bartësi i listës së koalicionit LSDM-Besa në njësinë e 6 zgjedhore dhe njëkohësisht kryetar i Lëvizjes Besës, Bilall Kasami, nga Zajazi i Kërçovës, deklaroi se në mandatin e ardhshëm 4 vjeçar do të angazhohet për barazi. Prezenca e Besës në koalicion, sipas Kasamit, do të jetë garanci për avancim të çështjeve të shqiptarëve, ndërsa u shpreh i bindur se së bashku me LSDM-në do të fitojnë 61 deputetë.
“Për ne me rëndësi është që të nisim këtë kampanjë për të dhënë mesazhin e zgjedhjeve të lira, fer dhe demokratike. Shqiptarët kudo që janë kanë nevojë për një jetë të dinjitetshme për investime në infrastrukturë, por sigurisht kanë nevojë edhe për avancimin e çështjeve të tyre me interes nacional dhe ne si Lëvizje Besa pjesë e koalicionit “Mundemi” ju garantojmë shqiptarëve nga Zajazi se për 4 vite, Besa do të jetë shërbëtor i tyre.”,- u shpreh kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami.
Nga Koalicioni “Mundemi” vlerësojnë se për tre vjet kanë bërë kthesë për të mirë, por theksojnë se mundet akoma më shumë dhe më mirë në 4 vitet e ardhshme. U tha se fushata për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, që do të mbahen më 15 korrik, do të jetë e sigurt dhe do t’iu përmbahen këshillave të autoriteteve shëndetësore.
Marketing