Më shumë se dy javë pas takimit mes kryeministrit, Dimitar Kovaçevski dhe kryetarit të Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, palët ende nuk kanë konkretizuar për opinionin se, cili është plani i ofruar për hyrjen e partisë opozitare në Qeveri. Dy partnerët më të mëdhenj të koalicionit, Kovaçevski dhe Ali Ahmeti kanë konfirmuar në paraqitjet e mëhershme se po zhvillohen negociatat në këtë drejtim, por nuk kanë shpalosur se çfarë përmbajnë negociatat. I pyetur sot se, deri ku janë negociatat me Aleancën për Shqiptarët për hyrje në Qeveri, Kovaçevski sërish nuk ka dhënë detaje, duke u përgjigjur shkurt se nuk ka pasur ndonjë takim tjetër në ndërkohë.
”Me zotërinë Taravari nuk jemi takuar pas takimit tonë që e kemi pasur. Sa po të kemi takim, nëse do të kemi atëherë, unë i paralajmëroj çdoherë takimet e mia, e di se herën e kaluar kur Taravari ishte te unë, dha deklaratë edhe para edhe pas takimit. Të njëjtën e kam bërë edhe unë” – tha Dimitar Kovaçevski, Kryeministër.
E për dallim nga liderët e LSDM-së dhe BDI-së, kreu i ASH-së, Arben Taravari ka mohuar se zhvillohen negociata për hyrje në Qeveri. Ditë më parë ai, madje i ka quajtur informatat që kanë qarkulluar në media, rreth emrave që përfliten se do të drejtojnë ministri të caktuara, me hyrjen e ASH-së në qeveri.
Ndërkohë, procedura për ndryshimet kushtetuese duhet të fillojë në fillim të vitit të ardhshëm, sipas paralajmërimeve të kryeparlamentarit Talat Xhaferi, që të respektohet periudha e miratimit të këtyre ndryshimeve. Procedura duhet të përfundojë deri në fund të skriningut, i cili është planifikuar për nëntor të vitit 2023. Për miratimin e ndryshimeve kushtetuese, Qeverisë do t’i nevojiten shumicë prej 2/3, që momentalisht qeveria nuk e ka.