Zgjidhet problemi me ngrohtoren Shkup-Veri, ja kush do ta bëj menaxhimin

Zgjidhet problemi me Ngrohtoren Shkup-Veri, njoftojnë nga drejtoria e kësaj shoqërie aksionare. Sot në mesditë Bordi i kreditorëve i ka dhënë dritë jeshile drejtorit Bogolub Makrevski, i cili është udhëheqës i procedurës së falimentimit të kompanisë amë që të firmosë bashkëpunim tekniko-afarist me EMV-në.

Marketing

“Kemi deponuar 1 milion denarë garanci tek furnitorët e gazit natyror në vend, që më së voni deri nesër të lëshohet gazi në sistemin e kaldajave tona për të prodhuar-bartur energji termike deri tek qytetarët”, njoftojnë nga SH. A. “Ngrohtorja Shkup-Veri”.

Kryeministri Kovaçevski tha se gjatë ditës zyrtarizohet marrëveshja e kalimit të Ngrohtores nga privati në menaxhim të shtetit, përkatësisht të Elektranave të Maqedonisë së Veriut.

“Sot ora 13:00 udhëheqësia e Ngrohtores Shkup-Veri do të jetë në zyrat e EMV-së ku duhet ti kryejnë bisedimet, të nënshkruajnë marrëveshje për bashkëpunim tekniko-afarist dhe të sigurohet ngrohje për qytetarët, të cilët gjenden në Komunat Çair dhe Butel, sikurse institucionet dhe shkollat e çerdhet, duke pasur parasysh që EMV do të merr përsipër ngrohjen edhe në atë rajon”, tha Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

Për një muaj sa zgjati ngërçi, këto dy shoqëri aksionare u shtynë se kush do ta merr përsipër borxhin e konsumatorëve prej 1 milion euro ndaj Ngrohtores Shkup-Veri, pas marrjes në menaxhim të Elektranave të Maqedonisë. Nga kjo e fundit thonë pas kësaj procedure, konsumatorët duhet të firmosin kontrata.
Shuma e faturave të energjisë termike për konsumatorët që paguajnë me 12 këste do të jetë e njëjtë me ato të muajit gusht dhe shtator, pasi që diferenca do të subvencionohet nga shteti si pasojë e krizës.

“Në periudhën tetor-prill gjatë sezonit kur bëhet shpërndarja e energjisë termike, çmimi i fuqisë së angazhuar dhe energjisë termike të dorëzuar për amvisëri financohet nga Buxheti i Republikës së Maqedonisë së Veriut përmes SH.A. EMV me vendim të Qeverisë, me qëllim të garantimit të siguria në furnizimin me energji termike në kushtet e ekzistencës së një situate krize”, njoftojnë nga Elektranat e Maqedonisë së Veriut.

Nga ana tjetër EMV i informon qytetarët e Shkupit se furnizimi me energji termike po ecën pa probleme dhe se do të vazhdojë me furnizim të pandërprerë për Ngrohtoren Lindje dhe Ngrohtoren Perëndim. Për muajin dhjetor, gazi natyror është siguruar nga Makpetrol Prom-Gas dhe energjia termike sigurohet nga TE-TO. Nga EMV thonë se po zbatojnë praktikën e blerjes së gazit natyror në periudha më të shkurtra kohore për shkak të kushteve më të mira financiare, bazuar në rënien e gazit edhe në bursat botërore./Alsat.mk