Zhani i Europës dhe Zhani i Ballkanit

Shkruan: Sefer TAHIRI, Shkup

Marketing

Trajtesën mbi intensifikimin e shumëpritur të integrimit euroatlantik, nuk po e nis në mënyrë standarde, duke glorifikuar përmasat historike të nisjes së negociatave për anëtarësim në BE, e as duke e minimizuar rëndësinë e këtij procesi, duke thënë se kjo nuk është nisje e negociatave, por një format enkas i menduar për Maqedoninë e Veriut, pasi negociatat e vërteta nuk dihet se kur do të fillojnë! Nuk do të flas as për reformat e shumëpërfolura dhe për tranzicionin tridekadësh, i cili assesi të përfundojë. Pra, nuk do ta analizoj sistemin e kalbur të drejtësisë, as pjesën më të madhe të administratës shtetërore dhe publike, e cila përveçse është e stërngarkuar, është edhe joefikase, joefektive, joprofesionale, jokompetente dhe jocilësore. Nuk do të vë në pah as reformat e tjera, të pabëra institucionale, që janë kritere të njohura si të Kopenhagës, e të ndara në 24 kapituj të ndryshëm, të cilat vendi duhet t’i plotësojë gjatë rrugëtimit drejt anëtarësimit të plotë në BE.

Nuk do të merrem as me deklaratën e kryetares së Komisionit Europian, Ursulla Von Der Lajen, e cila është inkurajuese për qytetarët, por që pa meritë i jep bonus elitës politike qeveritare dhe që, objektivisht, nuk përkon me realitetin shoqëror dhe zbatimin e reformave. Kreu i Komisionit Europian u shpreh decidivisht: “Tanimë keni treguar kapacitet vital të ndryshoni shoqërinë tuaj drejt më të mirës. Përpjekjet për luftimin e korrupsionit janë shembull i mirë. Keni media të lira.” Është pikërisht Komisioni Europian, i cili në raportet vjetore mbi progresin e vendit drejt Bashkimit Europian konstaton ngecje të mëdha pikërisht në fushën e luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar, por edhe në sferën e reformimit të sistemit mediatik, i cili nuk ka lëvizur nga pika zero që nga viti 2017.

Kush është Zhan Mone?

Zhan Mone dhe Zhan Mitrev janë kryepersonazhet e kësaj analize politike jokonvencionle. Edhe pse emrin e tij e përdor vetëm për krahasim, ndoshta i hymë në hak Monesë!

Të dytë e kanë emrin e njëjtë! I pari, francez me përkatësi etnike, i njohur si babai i Europës së bashkuar, që sot përbën njërën nga organizmat më të fuqishme ekonomike, por edhe politike dhe diplomatike në nivel të kontinentit europian. Zhan Mone njihet si ideator i Bashkimit Europian, ndërsa është autor i veprës kapitale “Europa, shtëpia jonë e përbashkët”.

Më 9 maj të vitit 1950 ministri i Jashtëm francez, Robert Shuman, dha propozimin për krijimin e Bashkësisë së Thëngjillit dhe Çelikut midis Francës dhe Gjermanisë Perëndimore, që ishte plan i bazuar në idenë paraprake të Zhan Monesë.

Mone është njëri nga themeluesit e Bashkimit Ekonomik Europian (i themeluar me Traktatin e Romës në vitin 1957) dhe i Tregut të Përbashkët Europian, i formuar në vitin 1968, të gjitha nisma dhe organizma bashkëpunimi, pararendëse të Bashkimit Europian.

Kush është Zhan Mitrevi?

Zhan Mitrevi është kardiolog i njohur, i ardhur pas viteve të ‘90-ta nga Gjermania në Maqedoninë e Veriut. Falë punës së tij 30-vjeçare, në Maqedoninë e Veriut janë shpëtuar mijëra jetë, kryesisht të personave të sëmurë nga sëmundjet e zemrës. Por, së fundmi, Mitrevi është përfshirë në një skandal të përmasave kolosale.

Mjeku – shpëtimtar i mijërave jetëve, pas një hulumtimi mediatik me emrin “Gjaku i papastër” nga Rrjeti Hulumtues Laboratori Hulumtues Gazetaresk, i njohur në Maqedoninë e Veriut si IRL, ka zbuluar se Mitrevi kokë më vete, pa pëlqimin e institucioneve shtetërore, ka zbatuar metodën e quajtur kemofiltrimi (filtrimi i gjakut) për shërim nga virusi Kovid 19. Kjo metodë nuk është zbatuar në asnjë vend tjetër të Europës, ndërsa qytetarë të shumtë nga Maqedonia e Veriut, por edhe nga Kosova, kanë paguar nga 12 mijë deri në 70 mijë euro për këtë trajtim “jolegal” mjekësor. Disa prej tyre kishin shitur edhe pronat, pasi kishin marrë premtimin se kjo metodë ua shpëton jetën.

Tek një pjesë e pacientëve janë gjetur infeksione intraspitalore, ndërsa familjarët e pacientëve nuk e kanë ditur se të afërmit e tyre janë pjesë e studimit klinik, të cilin spitali, që mban emrin e Zhanit nga Maqedonia e Veriut, është dashur ta raportojë dhe për të njëjtin të kërkojë pëlqim nga institucionet kompetente.

Zhan Mitrevi, pa pikën e nevojës, është shërbyer edhe me disa metoda të pandershme edhe sa i përket marrjes së titujve. Që të vërtetojë se edhe pse ka studiuar dhe jetuar gjatë kohë në Europë, por nuk ka arritur ta çrrënjosë Ballkanin nga vetja, në jetëshkrimin e tij rendit tituj të dyshimtë (sipas IRL-së “janë blerë si në katalogë”), nga organizata fantome, për që kanë emra europianë ose amerikanë, që të tingëllojnë fuqishëm.

Sipas rrjetit gazetaresk, shpërblimet si “Njeriu i vitit”, “Shkencëtari ndërkombëtar i vitit” e “Arritje jetësore botërore” janë blerë për një çmim të caktuar. Shpërblimi për “Menaxher i vitit” dhe “Spitali më i mirë” është ndarë nga organizata e quajtur “Oksford” (nuk ka asnjë lidhje me Universitetin e Oksfordit), ndërsa shpërblimi është blerë për 9300 funta. Që Mitrevi të dëshmojë se është ballkanas tipik, sipas rrjetit gazetaresk IRL, në të gjitha dokumentet firmos me titullin akademik, të cilin ia ka ndarë gjoja një akademi, e quajtur Platon, por, e cila, në fakt, është një kompani e zakonshme në Bllagoevgrad të Bullgarisë! Kaq për Zhanin e Ballkanit, i cili, njësoj si shteti, e ka të vështirë të bëhet europian.

Jeta në Maqedoninë e Veriut në rrezik

Pavarësisht se niveli i vdekjeve në spitalin privat “Zhan Mitrev” gjatë pandemisë ishte më i lartë se në Klinikën Shtetërore të Sëmundjeve Infektive, nuk ka dyshim se qëllimi i tij edhe gjatë zbatimit të metodës së kemofiltrimit ka qenë human dhe pozitiv.

Pavarësisht faktit se Mitrevi titullin akademik e përdor në mënyrë ballkanike, si shumë të tjerë që i japin vetes grada që si kanë të verifikuara, megjithatë mbetet akademik, ndoshta kryeakademik në nivel shtetëror i shërimit të sëmundjeve të zemrës!

Por, ky autoritet i përmasave kolosale që ai e posedon, nuk i ka dhënë atij të drejtën e eksperimentimit me jetën e njerëzve, pa çka se ndoshta ka marrë ndonjë leje ose pëlqim me gojë nga “të fuqishmit”! Aq më keq, nëse vërtetohet se nga ky eksperiment janë shkaktuar vdekje, që nuk do të kishin ndodhur nga virusi Kovid 19. Nëse vërtetohet kjo, dëshmohet ajo që themi shpesh se jeta e njeriut në Maqedoninë e Veriut, por edhe në Ballkan, është e pavlerë, pasi shtetet nuk garantojnë dot as sigurinë fizike të qytetarëve, ndërsa për atë juridike as që bëhet fjalë!

Vetëm gjatë kësaj vere, gati se çdo javë, si në Maqedoninë e Veriut, ashtu edhe në Shqipëri regjistrohet një numër i madh i mbytjeve në liqene ose dete! Me këtë ritëm të vdekjeve, qoftë nga virusi ose fatkeqësitë, duke e shtuar edhe numrin galopant të ikjeve të mëdha, jo vetëm të të rinjve drejt Perëndimit, mund të ndodhë fare mirë që diku pas vitit 2030-të në BE të integrohet shteti, por jo edhe qytetarët (populli).

Zhan Mone shkruante: “Ne nuk bashkojmë shtetet, por bashkojmë njerëzit” Shenja.tv

Marketing