Zvicra arreston 12 persona që vozisnin automobilat me një shpejtësi rreth 300 km/orë

Policia zvicerane ka arrestuar 12 persona për gara të paligjshme rreth Cyrihut me shpejtësi prej afro 300 km/h.

Grupi është akuzuar për shkelje të ndryshme të shpejtësisë rreth qytetit më të madh të Zvicrës me “vetura të fuqishme, pjesërisht të akorduara”.

Prokurorët thonë se disa automjete u regjistruan se udhëtonin deri në 287 km/orë në autostrada dhe pothuajse 200 km/orë jashtë zonave të ndërtuara.

Marketing

Policia gjithashtu tha se të dyshuarit mbajtën “gara të ndryshme ilegale në rrugë publike”.

Autostradat e Zvicrës kanë një kufi shpejtësie prej 120 km/orë, ndërsa veturat janë gjithashtu të kufizuara në shpejtësi prej 80 km/h jashtë zonave të ndërtuara dhe 50 km/orë brenda zonave të ndërtuara, raporton euronews.

Njëmbëdhjetë burra dhe një grua, të gjithë të moshës midis 24 dhe 40, u arrestuan si pjesë e operacionit, duke përfshirë shtetas nga Zvicra, Italia, Republika e Maqedonisë së Veriut, Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina.

Arrestimet pasuan një hetim të gjatë nga Policia Kantonale e Cyrihut dhe Zyra e Prokurorit Publik të Cyrihut.

Prokurorët gjithashtu kanë kërkuar që katër nga të dyshuarit e arrestuar të mbahen në paraburgim. Sipas ligjit zviceran, të dyshuarit supozohet se janë të pafajshëm në pritje të procedurave gjyqësore dhe deri në arritjen e një dënimi përfundimtar.