Avokati i Popullit, Naser Zyberi në një dalje për media bëri të ditur se gjatë vitit 2020 ka realizuar 25 vizita të paparalajmëruara në burgje, ente përmirësuese ndëshkuese, stacione policore dhe në qendrat për ndalim të personave pa status të rregulluar migrantët dhe kërkuesit e azilit.
Ai shtoi se këto vizita i ka bërë me qëllimin që të informohet me kushtet që posedojnë dhe trajtimi që ju bëhet atyre personave sidomos që janë të privuar nga liria për shkak të përdorimit të drogave.
“Gjatë vitit 2020 kam realizuar 25 vizita të paparalajmëruara në burgje dhe stacione policore. Vizitat kanë qenë tematike. Edhe atë burgjet kanë qenë objekt ose observim për trajtimin e personave në varësi të drogave nga ana e institucioneve. Si trajtohen këto persona të privuar nga liria. Konstatimet janë alarmante dhe flasin se personat që janë të varur nga shfrytëzimi i drogave nuk e kanë trajtimin e duhur nga shteti. Situata më brengosëse është në burgun e Kumanovës. Në të cilin është konstatuar se mbi 1/3 të vendosur në këtë burg dhe gati 60% që janë në paraburgim janë persona me pasoja nga përdorimi i drogave. Nga bisedat e zhvilluara me këta persona është konstatuar se institucioni nuk disponon as me kuadër adekuat por as me terapi të duhur. Është konstatuar se te një numër i madh i këtyre personave nuk jepet terapi adekuate dhe shpesh herë vjen në situatë që të kenë kriza”, u shpreh Avokati i Popullit, Naser Zyberi.