Zyrtarë të ushtrisë afrikane: Presidenti i rrëzuar është në arrest shtëpiak

Oficerë të ushtrisë në shtetin afrikan Gabon tha të mërkurën se morën pushtetin dhe se e vendosën presidentin Ali Bongo nën arrest shtëpiak.

Marketing

Zyrtarët e ushtrisë njoftuan për grushtin e shtetit në televizionin kombëtar, pak çaste pasi komisioni shtetëror zgjedhor shpalli zotin Bongo fitues të mandatit të tretë në zgjedhjet e përgjithshme, që u mbajtën të shtunën.

Ata thanë se rezultatet e zgjedhjeve janë anuluar, të gjitha institucionet e vendit janë shpërbërë dhe të gjithë kufijtë janë mbyllur deri në njoftimin e radhës.

“Kemi vendosur të mbrojmë paqen duke i dhënë fundin regjimit të tanishëm,” tha njëri nga zyrtarët e ushtrisë.

Junta ushtarake emëroi Gjeneralin Brice Oligui Nguema si udhëheqës të përkohshëm. Më parë ai ka drejtuar rojën presidenciale. Drejtuesit e junës thanë se ata përfaqësojnë të gjitha forcat ushtarake të Gabonit.

Ndërkohë, zoti Bongo u paraqit në një video teksa u bënte thirrje “miqve të Gabonit” të “ngrejnë zërin” në përkrahje të tij. Presidenti 64 vjeçar, i ulur në karrige, tha se gjendej në shtëpinë e tij dhe se gruaja dhe i biri i tij ishin diku tjetër.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë për çështje të sigurisë kombëtare, John Kirby, tha se Shtetet e Bashkuara janë thellësisht të shqetësuara për zhvillimet në Gabon.

“Jemi duke e ndjekur situatën me shumë, shumë vëmendje,” deklaroi zoti Kirby.

Zëdhënësi i Qeverisë franceze, Olivier Veran tha se Franca dënon grushtin e shtetit dhe theksoi përkushtimin e qeverisë për zgjedhje të lira dhe transparente.

Por, turmat dolën në rrugët e kryeqytetit Libreville për të festuar rrëzimin e presidentit, dhe disa nga pjesëmarrësit u shprehën të kënaqur, që familja Bongo më nuk ishte në krye të vendit.

Zoti Bongo mori qeverisjen e vendit në vitin 2009, pas vdekjes së babait të tij, zotit Omar Bongo, që kishte udhëhequr shtetin e pasur me karburante për 42 vjet.

Kundërshtarët e zotit Bongo thonë se ai nuk e ka ndarë pasurinë e vendit me 2.3 milionë banorët e tij.

Të shtënat janë dëgjuar nëpër kryeqytet pas daljes së oficerëve ushtarakë në transmetimin televiziv. Ambasada e Shteteve të Bashkuara i këshilloi amerikanët në Libreville të strehohen dhe të kufizojnë lëvizjen.

Fluturimet nga Gaboni janë anuluar dhe porti i qytetit i ka pezulluar operacionet.

Zgjedhjet e së shtunës nuk ishin monitoruar nga mbikëqyrësit ndërkombëtarë, duke shtuar shqetësimet rreth transparencës së tyre.

Më pas, qeveria e zotit Bongo ka kufizuar qasjen në internet dhe ka vendosur orë policore në mbarë shtetin gjatë natës, duke thënë se po merrte masa për të parandaluar shpërndarjen e lajmeve të rreme.

Pas grusht shtetit, duket se qasja në internet ishte mundësuar pjesërisht.

Grushti i shtetit në Gabon ndodh pas atij në Niger muajin e kaluar. Zoti Bongo i mbijetoi një përpjekjeje për grusht shteti të ushtrisë në janar të vitit 2019, ndërkohë që po merrte veten nga një goditje në tru.