Zyrtari rus i UNMIK-ut shpallet “Non-Grata” në Kosovë

Ministria e Jashtme ka shpallur “non-grata” edhe një shtetas rus, zyrtar i UNMIK-ut.

Marketing

Kjo është bërë e ditur me anë të një postimi në Facebook nga ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, shkruan lajmi.net.

Siç ka bërë të ditur ajo, ky zyrtar rus është shpallur “Non-Grata” për shkak të veprimtarisë së tij që ka cënuar sipas saj sigurinë kombëtare të Kosovës.

“Republika e Kosovës do të vazhdojë të bashkëpunojë edhe më ngushtë me aleatët e saj ndërkombëtarë, e sidomos me ata amerikanë, evropianë dhe me NATO-n, për të penguar çdo përpjekje destabilizuese të Federatës Ruse në rajonin tonë. Përcaktimi dhe rruga e Republikës së Kosovës drejt anëtarësimit në NATO, BE dhe më pas edhe në OKB janë të pakthyeshme”, ka shkruar ajo.

Postimi i plotë i Gërvallës:

Me kërkesë të Kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, sot kam nxjerrë vendimin për shpalljen persona non grata të një zyrtari rus të UNMIK-ut në Kosovë për shkak të veprimtarisë së tij të dëmshme, e cila ka cenuar sigurinë kombëtare të Republikës së Kosovës. Njëkohësisht kam njoftuar institucionet ligjzbatuese dhe autoritetet përkatëse për zbatimin e këtij vendimi.

Institucionet e Republikës së Kosovës mbeten të vendosura në betejën kundër ndikimit malinj të Federatës Ruse dhe përfaqësuesve e satelitëve të saj në rajon, të cilët synojnë të minojnë arritjet e Kosovës dhe të partnerëve tanë, e në radhë të parë të SHBA-ve, NATO-s dhe BE-së.

Republika e Kosovës do të vazhdojë të bashkëpunojë edhe më ngushtë me aleatët e saj ndërkombëtarë, e sidomos me ata amerikanë, evropianë dhe me NATO-n, për të penguar çdo përpjekje destabilizuese të Federatës Ruse në rajonin tonë. Përcaktimi dhe rruga e Republikës së Kosovës drejt anëtarësimit në NATO, BE dhe më pas edhe në OKB janë të pakthyeshme.

Qytetarët e Republikës së Kosovës i sigurojmë se institucionet do të mbeten çdo ditë vigjilente dhe të vendosura në mbrojtje të sigurisë dhe rendit kushtetues të vendit tonë, sa herë që të jetë e nevojshme

Marketing