Мanifest për zhvillimin e negociatave me Bashkimin Evropian

Duke potencuar se integrimi i Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian paraqet qëllim strategjik për vendin, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) mbështet fuqishëm Manifestin për zhvillim e negociatave për anëtarësim të plotë në BE.

Marketing

Mbështetja e BDI-së vjen si rezultat i promovimit të fuqishëm të integrimeve në BE, si parti e cila për 20 vite mban barrën e integrimeve. Ndaj, BDI-ja beson se është koha që të bashkohen të gjithë partitë politike, subjektet apolitike dhe organizatat joqeveritare përmes këtij hapi të rëndësishëm të nënshkrimit të Manifestit të përbashkët, me të cilin të gjithë së bashku do të obligohemi për zhvillim efikas dhe cilësor të negociatave për anëtarësim në BE.

Manifesti reflekton vlerat e pranuara të përbashkëta evropiane që dalin nga kriteret e Kopenhagës, Procesi i Stabilizim-Asociimit, konkluzionet e miratuara të Këshillit të BE-së dhe propozim Korniza negociatore nga presidenca franceze, të gjitha këto me qëllim të përfundimit sa më cilësor të procesit të negociatave dhe hyrjes më të shpejtë në BE.

Ndaj, me këtë manifest paraqesim një numër argumentesh që janë me rëndësi jetike për mbarë shoqërinë, dhe përmes të cilave zotohemi se do t’i përfundojmë negociatat për anëtarësim në një kohë sa më të shkurtër, njëherit duke mbrojtur identitetin, traditën, gjuhën dhe vlerat shoqërore të qytetarëve dhe bashkësive në vend.

Me propozim Manifestin, deklarojmë se do të angazhohemi për realizimin e të gjitha detyrimeve që dalin nga kriteret politike për anëtarësim në BE, mes tjerash edhe lidhur me avancimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore, mbrojtjen e të drejtave themelore të njeriut, të drejtat e komuniteteve, por edhe harmonizimin e legjislacionit nacional me legjislacionin e BE-së, me fokus në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe funksionimin e institucioneve demokratike.

Për këtë, siç thuhet në Manifest, partitë politike në Kuvend, pavarësisht nga përbërja e shumicës qeverisëse, obligohen të bashkëpunojnë, por edhe ta zhvillojnë procesin e negociatave në mënyrë krejtësisht të hapur dhe transparente me qëllim që publiku më i gjerë të ketë mundësi ta shpreh mendimin e tij lidhur me kushtet për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Theksojmë edhe rëndësinë e një roli aktiv të të gjithë qytetarëve të Maqedonisë së Veriut në procesin e anëtarësimit në BE. Qytetarët e Maqedonisë së Veriut do të vendosin për anëtarësim në BE përmes një referendumi që do të mbahet para nënshkrimit të Marrëveshjes për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, gjegjësisht pas përfundimit të negociatave”, thuhet në Manifest.

Manifesti gjithashtu e obligojnë Qeverinë që në mënyrë konzistente t’i përmbahet përcaktimit për respektimin e pakushtëzuar të veçorive të gjuhës, identitetiteteve, historike dhe kulturore të komuniteteve, si elemente të panegociueshme me Bashkimin Evropian, duke theksuar se Qeveria nuk do të pranojë të diskutojë për zgjidhje tjetër për gjuhën maqedonase përveç asaj që është përcaktuar në Kornizën negociuese.

Në fund, në deklaratën e liderëve të partive politike , ata konstatojnë se Kuvendi duhet të miratojë amendamentet kushtetuese për mbajtjen e menjëhershme dhe të pakushtëzuar të Konferencës së dytë Ndërqeveritare për përfundimin e fazës hapëse të negociatave, pa vendime shtesë nga shtetet anëtare, ndërsa Qeveria dhe të gjitha autoritetet kompetente për politikë të jashtme të veprojnë në kuadër të qëndrimeve të përcaktuara në Manifest.

Manifesti është iniciativë e këtyre subjekteve dhe mbetet i hapur për mbështetje të gjërë shoqërore

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI)

Lidhja Social demokrate e Maqedonisë (LSDM)

Aleanca për Shqiptarët (ASH)

Partia e re social-demokrate (NSDP)

Partia Liberale (PL)

Partia Demokratike Shqiptare (PDSH)

Partia Lëvizja e Turqve (THP)

Partia Demokratike e Turqve në Maqedoni (TDP)

Rindërtimi Demokratik I Maqedonisë (DOM)

VMRO-Partia Popullore ( VMRO-NP)

Partia e Pensionistëve

Partia e Serbeve

MANIFEST I PARTIVE POLITIKE TË PËRFAQËSUARA NË KUVEND LIDHUR ME
NEGOCIATAT PËR ANËTARËSIM TË PLOTË TË REPUBLIKËS SË MAQEDONISË SË
VERIUT NË BASHKIMIN EVROPIAN

Të prirë nga përcaktimi i shprehur qartë i qytetarëve të Republikës së Maqedonisë
së Veriut, pa dallim përkatësie etnike, dhe nga konsensusi i shprehur qartë i të
gjitha subjekteve politike për anëtarësim me të drejta të plota të Republikës së
Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian,

Duke theksuar se integrimi i Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bashkimin
Evropian paraqet synim strategjik me rëndësi jetike për mbarë shoqërinë,

Duke u nisur nga vlerat e përbashkëta të pranuara evropiane dhe të vetëdijshëm
për nevojën për përmbushje efikase të standardeve dhe kritereve për anëtarësim,
që burojnë nga Kriteret e Kopenhagës dhe Procesit të Stabilizim-Asociimit,
përmbushja e të cilave çon drejtë institucioneve të qëndrueshme që garantojnë
demokraci, sundim të ligjit, të drejta të njeriut, respektim dhe mbrojtje të së
drejtave të komuniteteve, ekonomi tregu funksional, të aftë për t'u përballuar me
konkurrencën dhe fuqitë e tregut të BE-së, dhe aftësi për të pranuar dhe zbatuar
në mënyrë efikase detyrimet e anëtarësimit, duke përfshirë edhe respektimin e
objektivave të unionit politik, ekonomik dhe monetar, si dhe bashkëpunimit
produktiv rajonal dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë,

Duke pasur parasysh se Maqedonia e Veriut është vend kandidat që nga viti 2005
dhe partner i ngushtë i Bashkimit Evropian, si pjesë e Procesit të Stabilizim –
Asociimit, që është në fuqi që nga viti 2004, duke u bërë vendi i parë në rajon që
në vitin 2001 efirmosi Marrëveshjen, si bazë për bashkëpunim të gjerë në një
numër të madh fushash, me çka Maqedonia e Veriut vazhdon t’i zbatojë tërësisht
detyrimet e saja të përcaktuara,

Duke iu referuar konkluzioneve të Këshillit të Bashkimit Evropian të datës 25 mars
2020, të cilat u miratuan njëzëri nga anëtarët e Këshillit Evropian më 26 mars
2020, dhe me të cilat mirëpritet vendosmëria e demonstruar e Maqedonisë së
Veriut për të avancuar agjendën e reformave në lidhje me procesin aderues, si
dhe të arriturat dhe rezultatet konkrete dhe të qëndrueshme, me të cilat u
plotësuan kushtet për fillimin e negociatave për anëtarësim dhe vendimin unanim
për hapjen e negociatave për anëtarësim,

Duke marrë parasysh konkluzionet e Kuvendit lidhur me Informacionin për
Përmbajtjen e Propozim-Kornizës Negociatore për Negociatat për Anëtarësim të
Republikës së Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian, të propozuar nga
presidenca e Francës me Këshillin e Bashkimit Evropian më 30 qershor 2022,
miratuar më 16 korrik 2022,
Duke marrë parasysh Konferencën e parë Ndërqeveritare për anëtarësim të
Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian të mbajtur më 19 korrik 2022 në
Bruksel,

Duke konfirmuar vendosmërinë për udhëheqje efikase dhe cilësore të
negociatave për anëtarësim në BE, që do të jetë një hap kyç në marrëdhëniet
ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Evropian drejt
realizimit të qëllimit strategjik për anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian,

Duke konfirmuar rolin dhe kontributin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në
avancimin e bashkëpunimit rajonal dhe të marrëdhënieve të mira fqinjësore,

Ne, subjektet e poshtënënshkruara:

Të vetëdijshëm për rëndësinë dhe përgjegjësinë historike për zhvillimin e
negociatave për anëtarësim të plotë të Republikës së Maqedonisë së Veriut në

Bashkimin Evropian, që paraqet synim të përbashkët strategjik të shtetit dhe të të
gjithë qytetarëve të tij,

Çmojmë se interes thelbësor shtetëror i Republikës së Maqedonisë së Veriut
është përfundimi sa më cilësor i mundshëm i procesit negociator dhe rrjedhimisht
anëtarësimi i plotë sa më i shpejtë në Bashkimin Evropian.
Duke u nisur nga synimi i shprehur që Maqedonia e Veriut ta arrijë gatishmërinë
për anëtarësim të plotë në vitin 2030,
Ne, partitë politike të përfaqësuara në Kuvend, me veprimet tona do të zotohemi
që negociatat e anëtarësimit të përfundojnë në kushte sa më të favorshme të
mundshme dhe Brenda afatit sa më të shkurtër të mundshëm kohor, plotësisht të
vetëdijshëm për detyrimet që dalin nga anëtarësimi në BE.

Qëllimi politik i Maqedonisë së Veriut është të ruajë pandashmërinë, integritetin
dhe tërësinë e territorit shtetëror, si shtet anëtar në BE, si dhe vazhdimësinë,
mbrojtjen e identiteteve,  traditës, gjuhëve dhe vlerave shoqërore të qytetarëve
të saj, duke forcuar kështu kontributin e Maqedonisë së Veriut në vlerat e
përbashkëta evropiane, si dhe në proceset shoqërore dhe kulturore evropiane,
duke pasuruar dhe duke kontribuar kështu për mirëkuptim më të mirë ndërmjet
shteteve, popujve dhe qytetarëve,

Njëherësh, jemi të vendosur për realizimin dhe zbatimin e të gjitha detyrimeve që
dalin nga kriteret politike për anëtarësim në BE, veçanërisht në drejtim të
avancimit të mëtejshëm të bashkëpunimit rajonal dhe të marrëdhënieve të
fqinjësisë së mirë, si dhe forcimit dhe promovimit të mëtejshëm të mbrojtjes së të
drejtave themelore të njeriut si dhe të drejtave të bashkësive.

Konfirmojmë rëndësinë e zhvillimit të dialogut të vazhdueshëm dhe veprimit të
harmonizuar në procesin negociator për anëtarësim të plotë të Maqedonisë së
Veriut në Bashkimin Evropian, veçanërisht në pjesën e harmonizimit të

legjislacionit nacional me legjislacionin e Bashkimit Evropian dhe zbatimit të tij,
me fokus – luftën kundër korrupsionit dhe vendosjen e shtetit të së drejtës.

Duke qenë se negociatat e anëtarësimit me BE-në do të zhvillohen në përbërje të
ndryshme parlamentare dhe qeveritare, konfirmojmë nevojën e vendosjes së
bashkëpunimit të përforcuar ndërmjet të gjitha partive politike të përfaqësuara
në Kuvend, proces i cili do të realizohet në vijimësi, pavarësisht nga përbërja e
shumicës qeverisëse.

Negociatat me Bashkimin Evropian do të udhëhiqen nga Qeveria e Republikës së
Maqedonisë së Veriut.

Njëherësh, duke pasur parasysh se anëtarësimi në Bashkimin Evropian është
shprehje e vullnetit të shumicës dërmuese të qytetarëve të vendit, konfirmojmë
se në Kuvend do të bashkëpunojmë për përmbushjen e këtij objektivi duke ndarë
bashkërisht përgjegjësinë dhe meritat, gjatë gjithë procesit negociator.
Negociatat do të zhvillohen në bazë të informacioneve të plota dhe publike dhe
përfshirjes së plotë, si dhe menaxhimit të hapur dhe transparent të procesit, për
kohëzgjatjen e të cilit të gjitha palëve të interesuara do t'u garantohet e drejta për
qasje në informacione dhe dialog, përmes mekanizmave tani më të krijuara, siç
është Këshilli Nacional për Euro-integrime, por edhe të tjerë, në mënyrë që
opinioni më i gjerë të ketë mundësi të shprehë mendimin e tij lidhur me kushtet
për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Pajtohemi të bashkëpunojmë brenda trupave punuese të Kuvendit me qëllim të
përforcimit të përgjegjësisë së përbashkët, sigurimit të interesit të gjerë publik
dhe përforcimit të pajtueshmërisë së përgjithshme shoqërore, si dhe sigurimit të
kushteve pozitive politike parlamentare për zhvillimin e negociatave për
anëtarësim.

Të gjitha partitë politike të përfaqësuara në Kuvend do të kenë mundësi të
shprehen dhe të japin rekomandime për çdo çështje lidhur me qëndrimet
negociatore për kapitujt e veçantë në dialog të ndërsjellë me Qeverinë në kuadër
të Kuvendit,

Theksojmë nevojën për aktivitete të shtuara të përbashkëta për informimin
cilësor dhe në kohë për të gjitha aspektet që lidhen me Bashkimin Evropian,
procesin e negociatave, si dhe për përfitimet e anëtarësimit të plotë në një dialog
të hapur me të gjitha subjektet shoqërore.

Theksojmë edhe rëndësinë e rolit aktiv të të gjithë qytetarëve të Maqedonisë së
Veriut në procesin e anëtarësimit në BE. Qytetarët e Maqedonisë së Veriut do të
vendosin për anëtarësimin në BE përmes referendumit që do të mbahet para
nënshkrimit të Marrëveshjes për Anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në
Bashkimin Evropian, gjegjësisht pas përfundimit të negociatave.

Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut e obligon Qeverinë e Republikës së
Maqedonisë së Veriut, që përmes delegacionit shtetëror për negociata me BE-në,
Sekretariatit për Çështje Evropiane, Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe ekipit
negociator të ekspertëve t'i përmbahet në vazhdimësi përcaktimit për respektim
të pakushtëzuar të veçorive gjuhësore, identitare, historike dhe kulturore të
popullit maqedonas, si elemente që nuk negociohen me Bashkimin Evropian.

Gjithashtu, Kuvendi e obligon Qeverinë që negociatat t'i zhvillojë në baza të
barabarta dhe parimore, duke respektuar normat e së drejtës ndërkombëtare, me
respekt të pa rezervë për dinjitetin dhe veçantinë e popullit maqedonas, si dhe në
pajtim të plotë me Rezolutën e miratuar nga Kuvendi i Republikës së Maqedonisë
së Veriut, më 29 korrik 2021.

Gjatë negociatave për anëtarësim deri në përfundimin e tyre me nënshkrimin e
Marrëveshjes për anëtarësim të Republikës së Maqedonisë së Veriut në BE dhe
pas pranimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut si anëtare e plotëfuqishme në
BE, Qeveria nuk do të pajtohet të bisedojë për një zgjidhje tjetër për gjuhën
maqedonase nga ajo që theksohet në kornizën negociatore.

Me pranimin si anëtare me të drejta të plota në BE të Republikës së Maqedonisë
së Veriut, gjuha maqedonase do të bëhet një nga gjuhët zyrtare të BE-së pa asnjë
shpjegim, shtesë apo fusnotë.

Korniza negociatore obligon përgatitjen e tre udhërrëfyesve, dy prej të cilëve do
të jenë dispozita hapëse për Klasterin Themele, gjegjësisht udhërrëfyes të veçantë
kushtuar Sundimit të Ligjit dhe Reformës së Administratës publike dhe një që nuk
është dispozitë hapëse dedikuar Funksionimit të institucioneve demokratike.
Në kuadër të udhërrëfyesit për sundimin e ligjit, ekziston obligim për përgatitjen e
një Plani të Veprimit për mbrojtjen e të drejtave të personave që u përkasin
pakicave dhe bashkësive, duke përfshirë jodiskriminimin, luftën kundër gjuhës së
urrejtjes, arsimimin, vendosjen e masave efektive, mekanizmat e raportimit dhe
identifikimin e institucioneve kompetente.

Përtej këtyre detyrimeve, çështjet dypalëshe që lidhen me marrëveshjet e
ndërsjella për marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë që nuk lidhen drejtpërdrejt me
legjislacionin e BE-së dhe kriteret e Kopenhagës për anëtarësim, nuk do të
pranohen si dispozita, nga të cilat do të varet hapja dhe mbyllja e kapitujve dhe
klastereve gjatë negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Kuvendi t’i miratojë ndryshimet kushtetuese për mbajtjen e menjëhershme dhe
të pakushtëzuar të Konferencës së dytë Ndërqeveritare për përfundimin e fazës
hapëse të negociatave, pa vendime shtesë nga shtetet anëtare.

Kuvendi e obligon dhe e udhëzon Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, si dhe të
gjitha organet kompetente të ngarkuara me politikën e jashtme dhe negociatat
për anëtarësim në BE, të veprojnë në kuadër të pozitave të përcaktuara me këtë
Deklaratë.