Мexhiti: Për një mjedis të shëndetshëm nuk duhet vetëm të flitet, por të punohet!

Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor këtë javë shpalli një nga thirrjet më të rëndësishme për vitin 2025 – Konkursin për Mbështetje të Projekteve që do të ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e mjedisit në vend.

Konkursi i hap dyert për të gjithë – nga pushteti vendor, te OJQ-të, institucionet shkencore, madje edhe startup-et dhe kompanitë e IT-së, të cilët mund të ofrojnë zgjidhje teknologjike për çështjet ekologjike.

Në këtë intervistë, zëvendëskryeministri dhe ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Izet Mexhiti, flet për vizionin që qëndron pas këtij Programi, i shpjegon detajet e Konkursit, kriteret dhe procedurat – por edhe dërgon një mesazh të fortë: “kjo nuk është thjesht thirrje teknike, por mjet për kthimin e parave që qytetarët paguajnë përmes taksës ekologjike – përsëri në komunitetet e tyre, përmes projekteve reale dhe të dobishme!”

Ministër Mexhiti, Ministria që ju drejtoni ka shpallur një Konkurs të rëndësishëm për projekte në fushën e mjedisit. Cili është thelbi i kësaj thirrjeje?

Ky konkurs është pjesë e Programit tonë vjetor të Investimeve në Mjedis, por këtë vit ne po e bëjmë me shtrirje dhe përkushtim edhe më të madh. Këto janë fonde reale të destinuara për projekte specifike që do të kenë një ndikim real në terren. Nëpërmjet tij, ne duam të inkurajojmë aktivitete që do të kontribuojnë drejtpërdrejt në infrastrukturë më të mirë të ujit dhe kanalizimeve, ujëra më të pastër, edukim ekologjik, iniciativa hulumtuese dhe ndërgjegjësim publik.

Qëllimi ynë është i qartë – të ofrojmë një mjedis të shëndetshëm jetësor dhe të qëndrueshëm për të gjithë qytetarët.

Sa është vëllimi i përgjithshëm i fondeve dhe si shpërndahen ato sipas kategorive?

Këtë vit përmes Programit për investime në mjedis ndahen gjithsej 229 milionë denarë. Fondet shpërndahen në katër segmente kyçe, duke synuar infrastrukturën, hulumtimin dhe ndërgjegjësimin publik.

Pjesa më e madhe – 100 milionë denarë – është e dedikuar për dy lloje të projekteve infrastrukturore. Pjesa e parë ka të bëjë me sistemet e ujërave të zeza dhe impiantet e trajtimit të ujërave të zeza. Pse? Për shkak se shumë komuna dhe vendbanime ende nuk kanë kullim apo trajtim adekuat të ujërave të zeza dhe kjo rrezikon drejtpërdrejt shëndetin dhe natyrën.

Gjithashtu, 10 milionë denarë janë paraparë për projekte arsimore, hulumtuese dhe zhvillimore. Me këtë, ne duam të inkurajojmë energjinë shkencore dhe rinore – për të investuar në ide, teknologji të reja dhe hulumtime ekologjike.

Segmenti i fundit, 19 milionë denarë, është për vetëdijesim, edukim dhe trajnim të publikut. Besoj se pa informacion nuk ka as zakon dhe as sjellje të qëndrueshme. Prandaj, ne mbështesim si fushatat dhe trajnimet, ashtu edhe iniciativat lokale që do të rrisin ndërgjegjësimin se si secili prej nesh mund të kontribuojë.

Cilat subjekte kanë të drejtë të aplikojnë?

Ajo që është e rëndësishme të theksohet është se Konkursi nuk është i destinuar vetëm për institucionet e mëdha. Përkundrazi, ideja ime është që të hapet hapësira për të gjithë ata që kanë dëshirë dhe kapacitet për të punuar në këtë fushë.

Kryesisht, komunat janë një shtyllë e rëndësishme në të gjithë procesin – ato kanë kontakte të drejtpërdrejta me qytetarët dhe i njohin saktësisht nevojat lokale. Prandaj i inkurajojmë që të aplikojnë me projekte që janë në përputhje me strategjitë kombëtare, por edhe që do të sjellin progres konkret në nivel lokal.

Pastaj janë shoqatat e komunave, të cilat përmes projekteve të përbashkëta mund të mbulojnë territore më të gjera dhe të kenë një qasje më sistematike.

Por, njëkohësisht, vendosim një fokus të madh edhe ndaj organizatave të shoqërisë civile – ato janë motori i shumë nismave inovative dhe të angazhuara. Kërkesa e vetme është që ata të jenë të regjistruar për të paktën një vit dhe të veprojnë në interes të publikut. Kjo është e rëndësishme që ne të dimë se aplikanti ka përvojë dhe besueshmëri.

Institucionet shkencore dhe arsimore janë gjithashtu të mirëseardhura – pikërisht ato mund të ofrojnë zgjidhje hulumtuese dhe projekte cilësore arsimore që do të rrisin kulturën ekologjike tek brezat e rinj.

Dhe, për herë të parë këtë vit, ne po u bëjmë thirrje publikisht startup-eve, kompanive të IT dhe teknologjisë që të përfshihen. Unë besoj se prej tyre mund të dalin zgjidhje inovative – aplikacione për monitorimin e ndotjes, sisteme sensorë, platforma riciklimi dixhitale…etj.

Ju bëjmë thirrje të gjithëve me vizion dhe energji – nëse keni një ide që mund të sjellë ndryshim, mos prisni. Kjo thirrje është pikërisht për ju!

Si organizohet procesi i aplikimit dhe sa kohë kanë të interesuarit?

Afati i aplikimit është tre javë nga data e publikimit të Konkursit.

Formularët dhe udhëzimet gjenden në faqen zyrtare të Ministrisë dhe për herë të parë kemi formularë të veçantë aplikimi sipas kategorive të subjekteve – për komunat, për OJQ-të, për qendrat hulumtuese etj.

Qëllimi ynë ishte që procesi të jetë transparent, i drejtë dhe në dispozicion. Të gjitha aplikacionet do të shqyrtohen nga një komision ekspertësh dhe rezultatet do të shpallen publikisht.

Pse është e rëndësishme një mbështetje e tillë dhe cili është Mesazhi juaj personal për aplikantët e mundshëm?

Mjedisi jetësor nuk mund të mbrohet në mënyrë deklarative – nevojiten projekte, partnerë dhe rezultate konkrete. Ky konkurs është pikërisht ai – një mjet për të gjithë ata që duan të bëjnë diçka të dobishme.

Si ministër, jam çdo ditë në terren, flas me njerëzit, me kryetarët e komunave, me aktivistët e rinj – e di që ka ide, ka energji.

Tani është momenti për të shfrytëzuar mundësinë. Unë do të jem këtu për të mbështetur të gjithë ata që kanë vullnet dhe plan për ta bërë shoqërinë tonë më të pastër dhe më të qëndrueshme.

Marketing