Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj së bashku me Grupin Koordinues Ndërministror për të Drejtat e Njeriut e Kosovës, ka mbajtur sot një takim, ku u shpreh shumë i gëzuar që Kosova ka ligje kundër diskriminimit. Madje ai ka shtuar se është shumë e qartë se si para dy dekadave, qytetarëve të Kosovës u janë cenuar të drejtat e tyre.
” Tash kemi ligje edhe për atë duhet t’i respektojmë ato, duke e ditur se njihemi për bujari. Kosova duhet të kthehet në shembull të respektimit të të drejtave të njeriut”, tha Haradinaj.
Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica u shpreh se kjo Ministri është duke zbatuar ligjin për kategoritë e dala nga lufta, duke përfshirë kështu edhe viktimat e dhunuara gjatë luftës së fundit në Kosovë.
“Për të zbatuar këto, Kosova ka ndarë buxhet, janë të përfshira katër organizata. Komisioni është funksional dhe operon që nga 5 shkurti. Deri më tani kanë aplikuar 827 persona për t’u njohur statusi i tyre”, tha Reçica.
Sipas Reçicës, procesi i verifikimit të personave të dhunuar gjatë luftës ishte një proces shumë i gjatë. Ndërsa, zëvendës ministri i Punëve të Brendshme Abduselami Shkodra tha se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës kanë ndërmarrë veprime të shumta për të parandaluar kështu shkeljen e të drejtave të njeriut.
” Ministria e Punëve të Brendshme ka hartuar plane për fëmijët e riatdhesuar. Janë afro 3400 fëmijë të riatdhesuar të cilët janë përfshirë në skemë”, tha Shkodra.
Avokati i Popullit, Hilmi Jashari tha se që nga viti 2015 kanë vazhduar të rekomandojnë institucionet e Kosovës për respektimin e të drejtave të njeriut. ” Gjithsej janë 132 rekomandime, ku 11 janë të implementuara”, tha ai.