Ambasada e Kosovës në Gjermani ka bërë të ditur se në bazë të statistikave të hartuara nga Instituti Robert Koch, shtetasit nga Kosova që kthehen në Gjermani ditëve të kaluara kanë paraqitur numrin më të lartë të infektuarve me COVID-19.
Në një komunikatë për media në Facebook thuhet se të gjithë shtetasit e tanë dhe bashkëkombasit që kalojnë pushimet në Kosovë duhet të zbatojnë masat e parapara nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Republikën e Kosovës, si distancë sociale, bartjen e maskave dhe mbajtjen e higjienës.
”Të nderuar qytetarë,
Në bazë të statistikave të hartuara nga RIK (Robert Koch Institut) shtetasit nga Kosova që kthehen në Gjermani ditëve të kaluara kanë paraqitur numrin më të lartë të infektuarve me COVID-19.
Prandaj, për të gjithë shtetasit tanë dhe bashkëkombasit që kalojnë pushimet në Kosovë:
Luteni që posa të ktheheni në Gjermani nga pushimet të zbatoni udhëzimet e Ministrisë Federale të Shëndetësisë dhe Ministrive të Landeve gjermane për testime në aeroporte ndërsa nëse udhëtoni me makinë apo autobusë të lajmëroheni tek Entet Shëndetësore në vendbanimet tuaja dhe të testoheni! Ruajeni veten sepse me këtë ruani të afërmit tuaj”, thuhet në njoftimin e Ambasadës së Kosovës në Gjermani.