​Përkujtohet masakra në lagjen Tusus, familjarët kërkojnë drejtësi(Foto)

Sot kur janë bërë 20 vjet nga masakra në lagjen Tusus të Prizrenit, ku janë masakruar 27 qytetarë, është kërkuar që para drejtësisë të dalin ata që kryen këtë masakër të tmerrshme.Dy dekada më parë regjimi serb vrau dhe masakroi qytetarët e kësaj lagje të Prizrenit, ku më pastaj i vuri zjarrin mbi 250 shtëpive për të realizuar planin që njihet si “toka e djegur”. Në akademinë përkujtimore që është mbajtur ka marrë pjesë edhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, i cili tha se për masakrën në lagjen Tusus ende nuk ka drejtësi, e sipas tij krimi i pandëshkuar është krim i vazhdueshëm.

Marketing

Kurti tha se shteti i Kosovës u ka borxh dëshmorëve e martirëve edhe për faktin se nuk ia kërkoi asnjëherë borxhin shtetit të Serbisë.
Kryesuesi i Kuvendit komunal të Prizrenit, Artan Abrashi, tha se 27 martirët që humbën jetën 20 vjet më parë hapën rrugën që Kosova sot të gëzojë lirinë.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës dhe ish Komandanti i UÇK-së, Zafir Berisha, tha se lagjja Tusus ka qenë ndër istikamet e pathyeshme të lëvizjes për lirinë e Kosovës.

Në emër të familjarëve ka folur Islam Thaçi, i cili ka kërkuar që emrat e kriminelëve të gdhenden nëpër procese gjyqësore.
Ndryshe, dy dekada më parë në lagjen Tusus të Prizrenit janë masakruar 27 qytetarë dhe janë djegur mbi 250 shtëpi.

Marketing