Në bazë të protokolleve për bashkëpunim dhe protokollit ndërmjet Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës dhe asaj të Maqedonisë së Veriut, për ndjekje të menjëhershme ndërkufitare në flagrancë e nënshkruar në vitin 2017, do të mbahet një ushtrim i përbashkët ndërmjet institucioneve të të dy shteteve.
Policia e Kosovës njofton se sot në brezin kufitar të të dy shteteve e njohur si zona kufitare Glloboçicë, do të realizohet një ushtrim i përbashkët operativo-taktik i koduar “ Potera-Ndjekja”, në të cilin do të marrin pjesë njësi policore të profileve të ndryshme, me pajisje të ndryshme policore nga të dy shtetet.
Ky ushtrim i përbashkët ka për qëllim demonstrimin e performancës dhe veprimeve të përbashkëta të sinkronizuara ndërmjet Policisë së Kosovës dhe asaj të Maqedonisë së Veriut në parandalimin dhe ballafaqimin ndaj aktiviteteve apo grupeve kriminale ndërkufitare.