Një milion e 814 e 263 votues do të mund të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar në zgjedhjet e 15 korrikut. Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve përmbylli Listën Zgjedhore në të cilën janë përfshirë të gjithë personat që deri në ditën e zgjedhjeve mbushin 18 vjet.
“Numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar në Listën Zgjedhore është 1.814.263 votues. Prej tyre në regjistrin e Listës Zgjedhore janë regjistruar 1.729.189 votues. Në Listën e veçantë zgjedhore të personave që sipas evidencës në organit kompetent janë me punë të përkohshme ose qëndrim jashtë vendit, janë 83.054 persona. Në listën e veçantë zgjedhore janë regjistruar 1.657 votues, që në ditën e zgjedhjeve vuajnë dënim me burg ose janë në paraburgim, në shtëpitë e pleqve janë 357 votues dhe 6 persona llogariten si të shpërngulur brenda vendit.”,- deklaroi kryetari i KShZ-së, Oliver Derkovski.
Sipas anëtarit të KShZ-së, Boris Kondarko, komisioni arriti të përmbyllë të gjitha veprimet në lidhje me Listën Zgjedhore, 4 ditë më herët në bashkëpunim me entin shtetëror të statistikës.
“Treguam se nëse KSHZ punon sipas ligjit, mundet edhe për 8-9 ditë jo të plota të përfundojë të gjitha veprimet në lidhje me riazhurnimin e Listës, e jo siç thuhej më herët që duhen 40-50 ditë.”,– theksoi anëtari i KShZ-së, Boris Kondarko.
Por, Derkovski thotë se çdo gjë u përfundua në 16 ditë, për shkak të përmbylljes së disa veprimeve, të definuara në procedurë normale, që duhej të ndërmerreshin, siç ishte këqyrja e Listës Zgjedhore, që për fat të keq nuk u bë. Të drejtën e votës do të mund ta realizojnë të gjithë ata qytetarë të moshës madhore që posedojnë dokumente valide si letërnjoftim ose pasaportë në ditën e zgjedhjeve.
Më 13 korrik do të votojnë personat pozitiv ndaj Kovid-19, më 14 korrik, një ditë para mbajtjes së zgjedhjeve, të sëmurët kronikë, të cilët duhet të parashtrojnë kërkesë deri tek KSHZ-ja deri mesnatën e 8 korrikut për të realizuar të drejtën e tyre të votës. Personat pozitivë me Covid-19, kërkesën e dërgojnë përmes personit të autorizuar.
Nga të dhënat shihet se numri mesatar i votuesve në një njësi zgjedhore është 302.377. Më shumë votues ka në Kumanovë 93.603, Manastir 81.607, Aerodrom 66.525, Butel 33.278 etj. Komunat me më pak votues janë Vevçani me 2.062, Konce 2.724, e më pak në Lozovë ka vetëm 1.997 votues. Sipas të dhënave të Listës Zgjedhore, në 90 vendvotime ka më pak se 10 votues, e ata do mund të votojnë në vendvotimin më të afërt. Në Prilep ka 13 vendvotime të tilla, Makedonski Brod 11, në Probishtip 7. KSHZ fton qytetarët të votojnë duke respektuar masat mbrojtëse ndaj COVID 19.