Pavarësisht skepticizmit perëndimor, Moska është e vendosur ta hedhë në treg vaksinën anti-COVID “Sputnik V”, të cilën e krijoi e para në botë. Kreu i bordit drejtues të firmës farmaceutike ruse R-Farm që do të prodhojë vaksinën e zhvilluar nga instituti shtetëror Gamalei tregoi në një intervistë për mediat ruse edhe çmimin e pritshëm të eksportit për një dozë.
“Me shumë gjasa, dozat do të shiten jo më pak se 10 dollarë. Seritë e para të dozave do të jenë më të shtrenjta, por çmimi i vaksinës do të bjerë gradualisht me masivizimin e prodhimit industrial të saj”, tha Aleksei Repik, drejtues i firmës farmaceutike, R-Pharm
Në tregun botëror ka që tani kërkesë për vaksinën ruse, ende pa u hedhur në prodhim për tregun vendas. Autoritetet ruse thonë se nga vendet e Amerikës Latine, Lindjes së Mesme dhe Azisë janë kërkuar 1 miliardë doza, teksa kapacitetet prodhuese aktualisht garantojnë vetëm gjysmën.
Por teksa ministri rus i Shëndetësisë akuzoi shtetet perëndimore se po spekulojnë ndaj vaksinës ruse për qëllime konkurrence, nga komisioni për etikën në këtë institucion dha dorëheqjen një nga mjekët më të mirë të sëmundjeve respiratore, profesori Aleksandër Çukalin.
Mediat ndërkombëtare thonë se ai ka akuzuar drejtuesit e institutit që zhvilloi vaksinën për shkelje të etikës me nxjerrjen e parakohshme në qarkullim të produktit.
Ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Shpan, një ndër skeptikët e vaksinës ruse tha se brenda pak muajve do të jetë gati vaksina gjermane.