1 Qershori, Veliaj: Të vendosur të ecim përpara për fëmijët tanë

Festimet me rastin e 1 qershorit kishin shndërruar Tiranën në një kryqytet plot gjallëri nga aktivitetet për të gjithë të vegjlit. I pranishëm në këtë ditë feste ishte dhe kreu i Bashkisë Tiranë i cili theksoi se duhet të lëmë mënjanë mllefet politike dhe të mendojmë për të ardhmen e fëmijëve.

Marketing

Tirana ishte shndërruar në kryeqytetin festiv për të gjithë të vegjlit me rastin e 1 qershorit. Muzika, argëtimi dhe lojërat pushtuan Sheshin “Skënderbej”, Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, si dhe kodrat e Liqenit Artificial. Teksa ishte pjesë e festimeve, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj theksoi se pavarësisht situates politike, çdokush duhet të ketë në fokus të ardhmen e fëmijëve.

“Jam shumë i lumtur sot që na janë bashkuar kaq shumë fëmijë jo vetëm nga Tirana, por edhe nga rrethet. Në këtë stinë të nxehur politike, fëmijët janë kujtesa më e fortë se për çfarë jetojmë, për çfarë i bëjmë gjërat që bëjmë, për çfarë i bëjmë festat. Sot kushdo duhet të reflektojë pak, t’i bëjë vetes një pyetje: çfarë ka prioritet – idealin e partisë apo të ardhmen e fëmijëve? Gjithmonë e më shumë njerëz në Tiranë kanë prioritet fëmijët e tyre, familjet e tyre”.

Në këtë ditë festimesh për të vegjlit, nuk u la jashtë vemendjes edhe fushata zgjedhore nga kryebashkiaku Veliaj.

“Iku koha kur për ideal të partisë prisheshin votimet dhe shkatërroheshin proceset. Sot jemi në një epokë tjetër, Tirana po ecën përpara. E sigurt që do të vazhdojë të ecë përpara edhe katër vitet e ardhshme. Ama, këtë do ta bëjmë të gjithë bashkë. Nëse mbajmë parasysh çfarë është e rëndësishme në jetë, atëherë do të marrim vendime të duhura për këtë muaj fushate ku po futemi, si dhe për çfarë do të bëjmë pas datës 30 qershor”.

Në këtë atmosfere festive për 1 qershorin që nisi që prej orës 9 të mëngjesit, syrin kureshtar të fëmijëve e tërhoqi edhe panairi i Policisë së Shtetit dhe i Ushtrisë, ku disa mjete ushtarake dhe të forcave të rendit ishin vendosur në Bulevard për t’u vizituar nga të vegjlit.

Marketing