Në 100 ditët e fundit treguam se mund të punohet me ndershmëri dhe me përkushtim.
Morën fund skandalet e përditshme korruptive të qeverisë karakteristike për të shkuarën.
Edhe pse me probleme të trashëguara, buxhet të zbrazët dhe institucione jofunksionale, arritëm të realizojmë projekte të mëdha për të cilat unë si zëvendëskryeministër mund të nënvizoj se janë të një rëndësie të jashtëzakonshme dhe do të mbahen mend.
Ne ishim 100% të përkushtuar që qytetarët të fillojnë të ndjejnë se dikush punon për ta.
E para, Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut mori vendim për ndarjen e 35 milionë eurove për kampusin e Universitetit Nënë Tereza. Kjo është ndarja e parë kaq e madhe dhe domethënëse e mjeteve për sigurimin e arsimit të lartë cilësor në gjuhën shqipe në Maqedoninë e Veriut. Vetëm në këtë mënyrë do të kemi sukses të mbrojmë dhe ta avancojmë gjuhën shqipe dhe përdorimin e saj.
E dyta, e filluam betejën me bixhozin. Vitet e fundit, ky u bë kancer i shoqërisë. Mijëra bashkëqytetarë tanë pësuan dëme, financiare, familjare, morale dhe ekonomike. Mijëra njerëz tanë u larguan dhe ikën jashtë shtetit. Qeveria e kaluar e solli bixhozin në çdo rrugë, çdo lagje, përpara çdo shkolle dhe para çdo këndi lojërash. Në fund, ata donin ta sillnin në telefonat dhe kompjuterët e fëmijëve tanë.
Këtë e ndaluam. Ua hoqëm licencat e paligjshme tri kompanive për internet bixhoz. I hoqëm nga faqet e internetit që organizonin në mënyrë të ligjshme ose të paligjshme bixhoz. Realizuam një premtim që askush nuk e mendonte se do ta realizonim.
E treta, Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut siguroi 100 milionë euro për projekte për komunat në mbarë vendin. Ne do të zgjidhim problemet që janë të shtresuara dhe që kërkohen drejtpërdrejt nga qytetarët. Deri te ne kanë arritur projekte të mira nga të gjitha komunat dhe vendimi për ndarjen e mjeteve do të merret së shpejti, këtë javë.
Dua të nënvizoj se nuk do të ketë asnjë lloj diskriminimi as për nga përkatësia partiake, as politike, as etnike. Çdo qytetar do të mund të marrë përfitim pavarësisht nëse jeton në Strugë, Kërçovë apo në Tetovë dhe Çair. Ne nuk do t’i ndajmë qytetarët.
E katërta, do të theksoj edhe një tjetër projekt të rëndësishëm të Qeverisë në 100 ditët e para.
Jemi pranë miratimit të sistemit “one stop shop” në vendkalimet kufitare Bllacë, Qafë Thanë, Jazhincë dhe Tabanoc.
Me këtë vendim mundësojmë qarkullimin dhe tregtinë më të shpejtë në pikat kufitare, të cilat janë jashtëzakonisht të rëndësishme edhe për qytetarët tanë, por edhe për bashkatdhetarët tanë që vijnë në Republikën e Maqedonisë së Veriut për punë, tregti, nevoja shëndetësore apo për të vizituar familjet e tyre.
Pa u lavdëruar shumë, por me punë dhe mençuri, duke e mbajtur fjalën, në 100 ditë arritëm të realizojmë projekte të rëndësishme.
Si Ministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, më lejoni të prezantoj para opinionit atë që kemi punuar dhe çfarë procesesh kemi filluar në këto 100 ditë të punës së Qeverisë së re të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Mjedis i shëndetshëm jetësor është sfida e këtij shekulli.
Vendi ynë është në rrugën drejt Bashkimit Evropian.
Po qe se nuk tregojmë gatishmëri për implementimin e standardeve të larta evropiane në këtë sferë, atëherë kemi problem shtëpiak.
Për këto arsye edhe mora drejtimin e këtij dikasteri, të dikasterit që duhet të jetë më europiani, Ministria e Mjedisit Jetësor.
Të ballafaquar me sfida të shumta nëmjedisin jetësor në një kohë të krizës energjetike, ndotjes dekadëshe të ajrit ambiental, largimin e mbetjeve historike,
Përballjen me problemet e menaxhimit të mbetjeve, sigurimin e infrastrukturës për furnizimin me ujë, largimin dhe pastrimin e ujërave të zeza, jemi fokusuar në zbatimin e politikave që do të sigurojnë implementimin më të mirë të standardeve ekologjike dhe mbrojtjen e mjedisit tonë, por kemi marrë edhe masa konkrete për të siguruar të drejtën për një mjedis të shëndetshëm për çdo qytetar.
Në rrugën drejt BE-së dhe përcaktimin tonë për anëtarësim, na pret edhe shumë punë në pjesën e harmonizimit të rregullativës ligjor me atë evropiane.
Në këtë drejtim kemi punuar në përmirësimin e rregullativës dhe rritjen e standardeve.
Në pjesën e klimës është përgatitur një listë preliminare e instalimeve potenciale të përfshira me skemë.