100 vjet nga themelimi i Jugosllavisë, historiani Drançolli flet për riokupimin e Kosovës

Historiani i njohur Jahja Drançolli, ka kujtuar se sot është dita e 100 vjetorit të themelimit të Jugosllavisë, që në të njëjtën kohë shënon një okupim të ri të Kosovës.

Marketing

“100-vjet më parë, më 1 dhjetor 1918 është themeluar Jugosllavia: Ky përvjetor shënon njëkohësisht dhe 100-vjetorin e riokupimit të Kosovës i shoqëruar me krime, pastrime etnike e grabitje ushqimi sidomos në trevën e Mitrovicës, Pejës, Prizrenit e Ferizajt”, ka shkruar Drancholli.

Artikullin e tij të plotë mund ta lexoni më poshtë:

Në fillimet e veta, më 1/XII/1918, ky shtet është quajtur Mbretëria Serbe, Kroate, Sllovene, ndërsa nga viti 1929 zuri të quhet Mbretëria e Jugosllavisë; pas Luftës së Dytë Botërore, shteti komunist i Jugosllavisë është quajtur Republika Federative Popullore e Jugosllavisë, Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë, dhe pas zhbërjes së Jugosllavisë komuniste më 1992, zuri të quhet Republika e Serbisë dhe Malit të Zi për të mbijetuar deri në vitin 2003, vit ky që shënon dhe fundin e Jugosllavisë. Në të gjitha këto etapa të zhvillimit të shtetit është shprehur sundimi serb në institucionet shtetërore i mbështetur në rregullimin centrist dhe interpretimin e bashkimit të sllavëve të jugut si vazhdimësi e shtetit serb.

Në marrëdhëniet ndërkombëtare mbretëria jugosllave është mbështetur në Francë dhe Britani të Madhe, ndërsa shteti komunist është mbështetur në shtete komuniste. Nga mesi i viteve 1950-ta, Jugosllavia konsiderohet për njërin ndër themeluesit e lëvizjes së painkuadruarve, e cila kundërshtonte dominimin e fuqive të mëdha në marrëdhënie ndërkombëtare. Si e tillë, në një Europë të ndarë në blloqe, neutraliteti jugosllav ishte një faktor joshës sigurie dhe kishte mbështetje të konsiderueshme ndërkombëtare.

Në aspektin demografik, nëse u besohet të dhënave statistikore të vitit 1918, numri i popullatës shqiptare kapte shifrën (3,6%, kjo përqindje duhet dyfishuar, meqë një pjesë e shqiptarëve janë regjistruar si muslimanë dhe turqë), ndërsa në vitin 1981, 7,7%, në krahasim me serbët 36,3%, kroatët 19,8%, muslimanët 8,9%, sllovenët 7,8%, maqedonasit 6%, malazezët 2,6%, dhe hugarezët 1,9%. Pas demarkacionit përfunduar të shtetit komunist jugosllav nga kapërcyelli i viteve 1950-ta, Krahina Autonome e Kosovës (dhe Metohisë), zotëronte një territor prej 10.887 km².

Burimet historike të kohës provojnë se pas Luftës së Parë Botërore është realizuar riokupimi klasik i Kosovës nga Serbia për ta inkuadruar më pastaj në mbretërinë e porsaformuar të SKS, e cila për të shpronësuar shqiptarët kishte praktikuar reformën agrare, duke sjellë kolonistë serbë e malazezë nga viset e ndryshme të mbretërisë së atëhershme. Kolonizimi qe shoqëruar dhe më serbizimin e popullatës vendore, e cila kishte reaguar me kryengritje të mëdha të shoqëruara dhe me migrime drejtë Turqisë dhe vende të tjera (për këtë duhet parë Programin e shpërnguljes të V. Çubriloviç – 1937, dhe elaboratin e nobelistit Ivo Andriç – 1939). Me kapitullimin e mbretërisë jugosllave më 1941, pjesa më e madhe e Kosovës i përkiste sferës okupuese italiane, më pastaj gjermane dhe bullgare. Në mbledhjen e dytë të AVNOJ-it 29/XI/1943), Kosova mori atributet e një formacioni shoqëror politik të pavarur, respektivisht qe pranuar për provincë të pavarur në shtetin socialist në formim e sipër. Këto atribute do të afirmohen dhe më shumë në Konferencën e Bujanit më 31/XII/1943-2 janar 1944. Me themelimin e Jugosllavisë komuniste jemi dëshmitar të aneksimit të Kosovës nga Republika e Serbisë. Pas ashpërsimit të marrëdhënieve ndërmjet të Jugosllavisë dhe Shqipërisë më 1948, represioni madh mbi shqiptarët ishte shoqëruar me shpërnguljen e madhe të shqiptarëve përseri në Turqi. Gjatë kësaj periudhe janë dënuar një numër i madh i shqiptarëve në procese të montuara politike.

Me Kushtetutën e vitit 1963, zuri të zë fill vetëqeverisja shoqërore, që spikati reformat ekonomike dhe politike, dhe në këtë kuadër konfliktet qeveritare të evidentuara në Plenumin e Brioneve (1966), çuan në zëvendësimin e nënkryetarit jugosllav, A. Rankoviç. Gjatë këtyre viteve, si pasojë e ndarjeve historike shqiptaro-serbe, si dhe të ndarjeve kombëtare kanë vështirësuar stabilizimin e marrëdhënieve në mes të dy popujve. Aq më shumë kur dihet se mbizotërimi politik i serbëve dhe malazezëve ishte mjaft i dukshëm, pavarësisht përfaqësimit të tyre numerik më të ulët.

Dy vite pas Plenumit të Brioneve (1968), i gjithë shteti do të përfshihet me demonstrata të fuqishme të Nëntorit në Kosovë dhe më gjerësisht në treva të tjera shqiptare të Jugosllavisë, ngjarje këto që sollën një sërë ndryshimesh në të gjitha fushat e jetës duke kulmuar me shpalljen e Kushtetutës së vitit 1974, sipas të cilës Kosova mori pavarësi më të madhe autonome, pothuajse të përafërt me atë të republikës. E gjithë kjo ishte shoqëruar me reagime të ashpra nga opinioni politik e popullata serbe, cila gjatë viteve 1945-1991 në Kosovë numëronte rreth 200.000-260.000 banorë.

Vdekja e Titos (1980), solli ndryshime të mëdha, të cilat u shprehën sidomos në funksionimin kolektiv të Kryesisë së shtetit në përbërje nga një përfaqësues prej çdo republike dhe province autonome. Ndryshimet në fjalë, u shoqëruan me krizë ekonomike dhe politike të shprehura në gjithë vendin por me theks të veçantë në Kosovës, kur dihet se vendi në fjalë ishte më i njohuri prodhues i plumbit, cinkut dhe metaleve të tjera fisnike në gjithë Europën, kishte mbetur shumë më i prapambetur në Jugosllavi (sipas statistikave të vitit 1979. në Kosovë GDP për kokë banori ishte 795 $, ndërsa në nivel jugosllav 2635 $). Pra, këto shkaqe kishin ndikuar që Kosova të përfshihet në demonstrata të marsit dhe të prillit 1981. Në demonstrata të përmendura kishin rënë më shumë se 100 demonstrues. Vendosja e masave të dhunshme u shoqëruan më burgosjen e së paku 7000 demonstruesve.

Në anë tjetër në Serbi ishin fuqizuar kërkesat nacionaliste dhe unitariste, të cilat kulmuan më 1989, pas Momorandumit të SANU (1986) dhe ngritjes së S. Milosheviç në krye të partisë komuniste serbe (1987). Viti 1989 shënon suprimimin e autonomisë së provincës së Kosovës dhe të Vojvodinës, të shoqëruar me demonstrata të shumta në të cilat kishin mbetur disa dhjetëra të vrarë. Vitet 1989-90 u bën të njohura edhe me fillimet e sistemit pluralist të cilat do të japin grushtin përfundimtar LKJ-së (janar 1990), si dhe Jugosllavisë komuniste.

Në këtë kuadër në Kosovë është themeluar LDK në dhjetor 1989 dhe është vendosur sistemi i pushtetit paralel në arsim, mjekësi, dhe në institucione të tjera shoqërore; në Kaçanik, më 7/IX/1990 do të shpallet Republika e Kosovës të cilën Serbia e konsideronte për shtet ilegal. Ndërsa më rënien e Jugosllavisë, miratohet Vendimi për Pavarësinë dhe Sovranitetin e Kosovës (22 shkurt 1991), dhe së këtejmi, do të shpallet më 19/X/1991 Republika e Pavarur e Kosovës.

Atëbotë, Serbia dhe Mali Zi më 27/IV/1992 do të shpallin unionin e tyre në një shtet të quajtur Republika Federale e Jugosllavisë (SRJ), e cila nëse i besohet regjistrimit të vitit 1991, përfshinte një territor prej 102 173 km², më 10,4 milion banorë. Prej tyre 62%, serbë, rreth 17% shqiptarë të cilët bojkotuar regjistrimin, 5%, malazezë, 3%, muslimanë dhe 3% hungarezë. Ç’prej gjysmës së dytë të vitit 1990 konflikti shqiptaro-serb do të merrë përmasa më të mëdha. Ngritja e konfliktit kulmon me daljen e UÇK më 28 nëntor 1997. Atëbotë, forcat serbe kishin kryer vrasje enorme mbi popullatën civile shqiptare, andaj deri në tetor të vitit 1998 Kosovën e kishin braktisur më se 98.000, të shoqëruar më rreth 200,000 të zhvendosur. Me ardhjen e S. Milosheviç-it në krye të shtetit më 1997, dhe ngritjes së masave të dhunës dhe të pastrimit etnik ndaj shqiptarëve të Kosovës, Forcat e NATO-s ç’prej 24/III/1999, do të bombardojnë pikat strategjike të federatës serbo-malazeze, dhe do të pushojnë së bombarduari vetëm më 12/VI/1999 me vendosjen e administratës së përkohshme të OKB. Është e njohur se vetëm gjatë marsit dhe qershorit 1999 janë përndjekur rreth 960.000-1.500.000 të popullatës shqiptare. Ndërsa, numri i shqiptarëve të vrarë kryesisht civilë sillet rreth 12.000.

Në anë tjetër, Kroacia dhe Sllovenia do të shpallin pavarësinë e tyre (më 25/VI/1991), e cila qe kontestuar me intervenimin e armatës jugosllave. Në shtator të vitit 1991 sipas një referendumi do të shpallet shteti i pavarur i Maqedonisë, ndërsa në tetor të po këtij viti, pas referendumit shpallet dhe memorandimi i pavarësisë së Bosnjës dhe Hercegovinës. Më 16/XII/1991, shtetet anëtare të BE kishin vendosur pranimin e pavarësisë së republikave jugosllave, dhe së këtejmi qe pranuar më 15/I/1992, pavarësia e Kroacisë dhe Sllovenisë, ndërsa më 7/IV/1992 pavarësia e Bosnjës dhe Hercegovinës, shtete këto, të cilat më 22/V/1992 do të bëhen dhe pjesë e OKB-së!