100-vjetori i Konferencës së Paqes në vendlindjen e Presidentin Wilson në Virginia

Sot në Muzeun dhe Bibliotekën Presidenciale, që është krijuar në shtëpinë ku ka lindur presidenti Woodrow Wilson në Staunton të Shtetit të Virginias në SHBA, u organizua një ngjarje mbresëlënëse dhe e rëndësishme për shqiptarët e mbarë botës.

Marketing

Një delegacion shqiptar nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve, i përfaqësuar nga drejtori Dr. Skender Asani, i Qeverisë së Republikës së Kosovës, i përfaqësuar nga Këshilltari i Kryeministrit, Jahja Lluka, dhe drejtori i Instituti për Studime Shqiptare dhe Protestante nga Tirana, i përfaqësuar nga Dr David Hosaflook, sot u prit zyrtarisht në Shtëpinë Presidenciale të Wilsonit në Staunton, që sot është muze dhe aty u zhvillua një ceremoni rasti.

Në fillim të pranishmëve iu drejtori senatori i Shtetit të Virginias, Emmet Hanger, që tha se ndjehet shumë i nderuar që delegacion i shqiptarëve ka ardhur prej Ballkani për ta nderuar ish Presidentin Wilson. Ai u shpreh se Wilsoni është në botë një simbol i paqes dhe bashkëjetesës.

Pas tij fjalë rasti pati Majori i Qytetit Staunton, znj. Carolyne Dull, e cila tha se në emër të Qytetit të saj ndjehet e nderuar që shqiptarët edhe pas një shekulli e nderojnë figurën dhe veprën e Presidentit Wilson. Ajo tha se ndjehet e privilegjuar që e përfaqëson një qytet që i ka dhënë kaq shumë botës. Në fund të fjalës së saj ajo ua ndau nga një Mirënjohje zyrtare të tre delegacioneve përkatëse, që në fakt është një proklamatë e Këshillit të Qytetit Staunton e lëshuar vetëm për këtë ngjarje.

Më tej në emër të Qeverisë së Kosovës të pranishmit i përshëndeti këshilltari i Kryeministrit të Kosovës, Jahja Lluka, i cili tha se shqiptarët janë përjetësisht falënderues për ndihmën amerikane dhe kontributin e SHBA-ve për ta, që ka filluar me Presidentin Wilson dhe vazhdon deri në ditët tona. Ai, në shenjë falënderimi, Bibliotekës së Wilsonit ia dhuroi Pullën postare të Postave të Kosovës, që është shtypur me portretin e Wilsonit.

Nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve, të pranishmëve iu drejtua Dr. Skender Asani, i cili tha se Stauntoni dhe Shkupi janë të ngjashëm, sepse i kanë dhënë botës dy nobelistë të paqes: ju keni dhënë Wilsonin, ndërsa ne Nënën Terezën. Edhe ai, në shenjë falënderimi dhe mirënjohje, ia dorëzoi Muzeut pullën postare me portretin e Wilsonit, të botuar nga Postat e Maqedonisë.

Para auditorit foli edhe drejtori i Instituti për Studime Shqiptare dhe Protestante, Dr. David Hosaflook, i cili i falënderoi të zotët e shtëpisë për pritjen dhe u ndal veçmas në botimin anastatik të Kristo Dakos “Albania”, që sapo ka dalë nga shtypi si botim i Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve dhe Institutit për Studime Shqiptare dhe Protestante, Dr David Hosaflook, që vjen në 100-vjetorin e daljes së tij të parë.

Në fund të ceremonisë delegacionit shqiptar iu dhuruan edhe nga një dhuratë simbolike për miqësinë shqiptaro-amerikane dhe nderimin që i bëhen figurës së Presidentit Wilson në 100-vjetorin e Konferencës së Parisit dhe 14 postulateve të tij.
Aktivitetet e këtij përvjetori vazhdojnë sonte (sipas lokale në orën 18.00) në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Uashington, ku do të hapet një ekspozitë dokumentare me dokumente të Konferencës së Paqes dhe rolit të Presidentit Wilson.

Marketing