Sot bëhen 11 vjet nga vdekja e gazetarit, veprimtarit politik dhe ish kryetarit të PDSH-së, Arbën Xhaferi. Kryetari aktual i PDSH-së, Menduh Thaçi paraditen e sotme ka bërë homaxhe te varri i Xhaferit.
“Në 11-vjetorin e ndarjes nga jeta të ish-kryetarit të PDSH-së z.Arbën Xhaferi, sot Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare z.Menduh Thaçi kreu homazhe dhe vendosi kurorë me lule tek varri i të ndjerit. Qoftë i përjetshëm kujtimi për ty”, shkruhet në njoftimin e PDSH-së.
Sot Xhaferin e përkujtuan edhe kreu aktual i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari si dhe ish kryetari i ASH-së, Ziadin Sela.
“Pavarsisht se kanë kaluar 11 vjet nga largimi i tij, humbja e Arben Xhaferit është e ndjeshme njësoj…
Respekte të përjetshme për mikun dhe mentorin tonë e për gjigandin e politikës që na ka lënë shumë për të mësuar e kuptuar…”, ka shkruar Taravari.
“Çdo komb ka thesarin e vet të urtësive, rrjedhimisht dhe populli shqiptar. Kjo ishte një nga urtësitë e shumta të vetë thesarit të popullit tonë, Arbën Xhaferit, i cili sa ishte gjallë na ndriçoi e begatoi rrugën të cilën po e bëjmë sot të gjithë ne pasardhësit e tij. Ai nuk ishte thjeshtë një politikan, por një kreator dhe mësues i politikës kombëtare. Shumë kush nuk e kuptoi sa ishte gjallë, sepse ai vepronte për të ardhmen, në një kohë kur rrallë kush kishte vizion e interes për ardhmërinë. Sot na mbetet obligim të nderojmë figurën e të ndjekim rrugën e tij”, ka shkruar Sela.