Në ditën e katërt të mbledhjes së nënshkrimeve për kandidatët për president, partitë politike dhe kandidatët e tyre vijojnë fushatën e mobilizimit të mbështetësve. Zyrtarisht me mbledhjen e nënshkrimeve sot filloi edhe koalicioni VLEN, shkruan Alsat.
Kreu i Lëvizjes Demokratike Izet Mexhiti është i bindur që firmat do të mblidhen në kohë rekord dhe që kandidati i koalicionit, Arben Taravari do të kalojë në rrethin e dytë në garën për president, përballë një kandidati maqedonas.
“Mendoj se përballja do të jetë te pala maqedonase. Sipas rrethanave që i shohim dhe anketave që i lexojmë me siguri do të jetë kandidati i VMRO-së mirëpo atë ja lëmë palës maqedonase. Ne jemi të fokusuar te elektorati shqiptar. Kjo për shkak të rrethanave, ka më tepër kandidat maqedonase, kemi një LSDM të dobët dhe këto janë parakushtet që një kandidat i shkëlqyer siç është doktor Taravari për herë të parë të plasohet në rrethin e dytë dhe do të jetë një fitore morale fillimisht e shqiptarëve dhe një fillim i misionit që edhe presidenti të zgjidhet në Kuvend siç zgjidhet kryeministri dhe kryeparlamentari”, tha Izet Mexhiti, kryetar i Lëvizjes Demokratike (VLEN).
VLEN u mobilizua edhe në zyrat e KSHZ-së në qytetet e tjera, mes të cilëve edhe në Tetovë.
“Kjo tregon edhe një herë se ndryshimi veçmë ka nisur dhe këtë ndryshim nuk e ndal as pushteti, as Rusia dhe askush tjetër. Pra, ndryshimi po vjen dhe atë ndryshim do ta bëjë koalicioni VLEN. Disa qytetarë kur e kanë marrë informacionin kanë nënshkruar edhe gjatë vikendit por nuk kam informacione sa kanë nënshkruar. Sot zyrtarisht ne si koalicion nisim me mbledhjen e nënshkrimeve. Për sa ditë prisni të mblidhen? Besojmë se për një periudhë shumë të shkurtër, kjo përcaktohet nga kapaciteti i KSHZ-së”, theksoi Bilall Kasami, kryetar i Lëvizjes Besa (VLEN).
KSHZ-ja ka njoftuar se gjithsej 12 kandidatë mbledhin nënshkrime për president; Vello Markovski, Biljana Vankovska, Tome Nikollovski, Bujar Osmani, Gospodin Popovski, Maksim Dimitrievski, Stevço Jakimovski, Arben Taravari, Gjorgji Manaskov, Mersiha Smailloviq, Zorica Cvetkovska dhe Gordana Siljanovska Davkova.
Kandidatët:
Vello Markovski,
Biljana Vankovska,
Tome Nikollovski,
Bujar Osmani,
Gospodin Popovski,
Maksim Dimitrievski,
Stevço Jakimovski,
Arben Taravari,
Gjorgji Manaskov,
Mersiha Smailloviq,
Zorica Cvetkovska dhe
Gordana Siljanovska
Nëse vendos të zyrtarizojë kandidaturën, të njëjtën gjë duhet ta bëjë dhe Stevo Pendarovski, të mbledhë 10 mijë nënshkrime nga votuesit ose nga 30 deputetë që e mbështesin.