12 vjetori i Pavarësisë/Thaçi pranon urime nga Presidentja e Kroacisë, Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut

Në 12 Vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, presidenti Thaçi ka pranuar urime nga Presidentja e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitaroviq, nga Presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev, si dhe nga Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.

Marketing

Në letrën e saj dërguar presidentit Thaçi, presidentja e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitaroviq, ka shkruar se beson fuqishëm se marrëdhëniet tradicionalisht miqësore, bashkëpunimi frytdhënës në mes të Kroacisë dhe Kosovës do të zhvillohen më tej dhe do të forcohen në fusha të ndryshme me interes të përbashkët, posaçërisht në ekonomi, ku ka potencial në shumë sektorë.

“Republika e Kroacisë, si mike e juaja, mbështetë fuqishëm të ardhmen e Republikës së Kosovës në Bashkimin Evropian dhe në Aleancën Veri-Atlantike dhe është e vullnetshme të vazhdojë të mbështesë dhe të transferojë dijen edhe përvojën e saj të arritur në procesin e integrimit Evro-Atlantik”, thuhet në letrën e presidentes Grabar-Kitaroviq.

Presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev, duke shprehur urimet për Ditën e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, në letrën e tij dërguar presidentit Thaçi, ndër tjera ka shkruar se më tepër se dhjetë vite në mënyrë sistematike kemi ndërtuar marrëdhëniet tona në frymën e miqësisë dhe partneritetit, që është bazë solide dhe potencial për zhvillimin e ardhshëm dhe thellimin e bashkëpunimit në mes të Republikës së Bullgarisë dhe Republikës së Kosovës.

“Besoj se ndajmë mendimin e përbashkët që vlerat evropiane dhe euroatlantike janë bazë për stabilitetin në rajon dhe që në të ardhmen do të vazhdojmë të punojmë së bashku edhe më thellësisht për aplikimin dhe për afirmimin e tyre. Përfitoj nga rasti edhe njëherë, të nënvizoj mbështetjen e Republikës së Bullgarisë për perspektivën evropiane të Republikës së Kosovës”, shkruan në letrën e tij presidenti Radev.

Gjatë ditës, presidenti Thaçi ka pranuar një telegram urimi edhe nga presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.

“Për më tepër, dua të shfrytëzoj këtë mundësi dhe të shpreh kënaqësinë time me nivelin që dy shtetet e tona kanë arritur në zhvillimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimin mes tyre, duke qenë i bindur se ato do të vazhdojnë të intensifikohen në të gjitha fushat me interes të përbashkët gjatë muajve dhe viteve në vijim”, shkruan në letrën e tij presidenti Pendarovksi.