Me para evropiane, Maqedonia e Veriut do të implementojë formën elektronike të pagesave nëpër pikëpagesat në mbarë vendin përmes të ashtuquajturave smart kartela.
Investimi do të kushtojë 13.7 milion euro, nga të cilat 13 milion do të sigurohen nga BERZh dhe pjesa tjetër nga Qeveria. Me këtë formë pagesore pritet të zvogëlohet mundësia për keqpërdorime si dhe do të përshpejtohet qarkullimi i makinave dhe qytetarëve.
“Kredia që merret për këtë projekt nga BERZh kap shumën prej 13 milionë euro, ndërsa me këtë me këtë projekt pritet të bëhet modernizimi, rekonstruimi dhe vendosja e sistemit elektronik për pagesë në 5 pikëpagesat në korridorin 8, në Milladinovc, Zhelinë, Tetovë dhe Gostivar”,- tha drejtori i rrugëve dhe rrugicave, Zoran Kitanov.
“Vetëm me përdorimin e teknologjisë mund të arrihet efikasitet dhe për këtë arsye me ndërtimin dhe instalimin e sistemit elektronik në pikëpagesat përgjatë korridorit 8 do të përmirësohet efikasitet në këto pikëpagesa, e cila do t’i rrisч edhe të ardhurat në Ndërmarrjen për rrugë shtetërore e cila i shërben mirëmbajtjes së rrugëve në mbarë vendin”,- theksoi ministrja e Financave, Nina Angellovska.
Në pikëpagesën Milladinovc do të ndërtohet një korsi e re, ndërsa në të gjithë territorin do të instalohet edhe sistemi i ri i paneleve solare fotovoltaike.
“Do të implementohet sistem i ri për pagesë rrugore në korridorin 8, ndërsa gjithashtu do të instalohen sisteme fotovoltaike për të gjitha pikëpagesat në gjithë rrjetin e pikëpagesave në shtet. Ndërsa gjithashtu ky projekt do të sjellë edhe uljen e gazrave ndotëse, sepse do të ulet koha e pritjes së qytetarëve përgjatë korridorit 8”,- tha drejtori i zyrës së BERZh në RMV, Andi Aranitasi.
Zbatimi i metodës së pagesës elektronike tashmë po praktikohet përgjatë korridorit 10, që kap pjesë veri – jug të vendit, ndërsa verën e ardhshme pritet të jetë gati edhe në korridorin 8, nga Tetova në Gostivar, dhe në autostradën Milladinovc – Shtip.