13 të plagosur nga raketat ukrainase në Kursk, Putin kundërpërgjigjet me sulm ajror mbi Kiev

Të paktën 13 persona u plagosën pasi mbeturinat nga një raketë e lëshuar nga forcat e armatosura të Ukrainës ranë në një bllok apartamentesh në qytetin Kursk të Rusisë.

Marketing

Dy prej të plagosurve u dërguan në spital dhe janë në gjendje të rëndë, sipas deklaratës së guvernatorit të rajonit, që tashmë është pushtuar nga trupat ukrainase.

Ndërkohë, më shumë se 76,000 banorë janë evakuuar nga rajoni Kursk , njoftoi shërbimi për shtyp i Ministrisë së Situatave të Emergjencave në Moskë.

“Shtabi operativ për ofrimin e ndihmës për popullatën vazhdon të punojë gjatë gjithë orarit. Prioriteti tani është zhvendosja e banorëve në zona të sigurta. Në total, më shumë se 76 mijë njerëz janë larguar që nga fillimi i këtij invazioni.”

Ndërkohë si kundërpërgjigje, Rusia nisi një sulm ajror mbi Kiev, ku sistemet e mbrojtjes kundërajrore u aktivizuan për ta zmbrapsur atë.

Kryebashkiaku i kryeqytetit ukrainas Vitali Klitschko reagoi përmes Telegramit duke thënë se “njësitë e mbrojtjes ajrore po operojnë, ndërsa alarmi për sulmin ajror vazhdon”.

Gazetarët nga agjencia e lajmeve Reuters dëgjuan të paktën dy shpërthime dhe zjarr kundërajror, ndërsa më herët, forcat ajrore kishin njoftuar se të paktën dy raketa balistike ishin nisur drejt qytetit.

Kievi, rajoni i tij dhe e gjithë Ukraina lindore u vunë në gatishmëri për sulmin rus sipas një deklarate të Forcave Ajrore të Kievit.