Një gazetare ruse është gjobitur dhe liruar pasi protestoi kundër luftës në Ukrainë në një program televiziv të drejtpërdrejtë.
Marina Ovsyannikova, një redaktore në televizionin Channel 1 të kontrolluar nga shteti, u arrestua pasi në transmetim të drejtpërdrejt doli me një pankartë ku bënte thirrje për ndaljen e luftes, shkruan BBC.
Ajo tha se ishte marrë në pyetje për 14 orë dhe nuk kishte fjetur për dy ditë, transmeton lajmi.net.
Ovsyannikova gjithashtu tha se nuk iu dha mundësia për ndihmë ligjore.
Ajo ishte deklaruar e pafajshme për akuzën e organizimit të një ngjarjeje publike të paautorizuar.
Në video, ajo i bëri thirrje popullit rus të protestojë kundër luftës, duke thënë se vetëm ata kanë fuqinë për të “ndaluar gjithë këtë çmenduri”.
“Mos kini frikë nga asgjë. Ata nuk mund të na burgosin të gjithëve,” tha ajo.
Pas seancës gjyqësore, Ovsyannikova u tha gazetarëve se i duhej të pushonte pas dy ditësh pa gjumë.
“Marrja në pyetje ka zgjatur më shumë se 14 orë, nuk më kanë lejuar të kontaktoj me familjen apo miqtë e mi, më është mohuar qasja tek avokati”, tha ajo.
Ajo theksoi gjithashtu se ideja e protestës ishte e saja,
“Ishte vendimi im kundër luftës. E mora vetë këtë vendim sepse nuk më pëlqen që Rusia të fillojë këtë pushtim. Ishte vërtet e tmerrshme”, tha ajo në anglisht teksa doli nga gjykata.