Nga Annalisa Lo Monaco
Historia e Evropës është e mbushur me luftëra, beteja, pushtime dhe disfata. Spanja, ashtu si gati çdo komb tjetër në kontinent, i ka përdorur ushtritë e saj kundër shumë nga vendeve, që tashmë përbëjnë Bashkimin Evropian. Luftëra të gjata dhe të përgjakshme, të zhvilluara kundër kundërshtarëve tradicionale si Britania dhe Franca.
Por asnjera prej tyre zgjati aq shumë, sa ajo e shpallur nga qyteti spanjoll Hueskar ndaj Danimarkës. Nuk ishte Spanja si komb që i shpalli luftë, dhe as ndonjë nga mbretëritë në të cilat ishte ndarë një herë e një kohë, por një qytet të vetëm, i cili shtrihet në kodrat e Andaluzisë.
Popullsisë krenare të këtij qyteti, iu desh plot 172 vjet që të vendoste nënshkrimin e paqes me Danimarkën.
Apo e harruan që në fakt ishin në luftë?
Në vitin 1796, Franca dhe Spanja nënshkruan Traktatin e San Ildefonsos, që zyrtarizonte një aleancë ushtarake mes monarkisë së Karlit IV, dhe qeverisë revolucionare franceze. Të dyja vendet në luftë me njëra-tjetrën deri një vit më parë, vendosën të bashkojnë forcat për një front të përbashkët kundër Britanisë së Madhe, që nga njëra anë kërcënonte kolonitë spanjolle në Botën e Re, dhe nga ana tjetër ishte duke u përpjekur t’i kundërvihej së bashku me monarkitë e tjera evropiane, revolucionit francez.
Në vitin 1807, për të ruajur besimin tek traktati, Spanja dërgoi në Danimarkë (natyrisht me miratimin e danezëve) një ekspeditë e përbërë nga më shumë se 13.000 njerëz. Ata duhet të ndalnin zbarkimin e britanikëve në ato brigje, në mbështetje të trupave franceze, kur revolucioni ishte tanimë i zbrazur nga kuptimi i tij, nga gjenerali gjithnjë e më i fuqishëm Napoleon Bonaparti.
Në muajt e hershëm të vitit 1808, Napoleoni vendosi të pushtonte Spanjën, dhe trupat iberike në Danimarkë u bënë papritmas armiq me të. Ato pastaj u shpërndanë nëpër zona të ndryshme, dhe për të parandaluar që ato të bashkoheshin kundër francezëve, u mbajtën më forcë në Danimarkë me urdhër të vetë Bonapartit.
Ndërkohë në Spanjë kishte nisur tashmë Lufta e Pavarësisë, dhe Këshilli Suprem i qeverisë spanjolle, kishte vendosur të ndërpreste çdo lloj marrëdhënie me Danimarkën. Dekreti mbretëror, u përhap në të gjitha qytetet e Spanjës, dhe kështu më 11 nëntor 1809 komuna e Hueskar, i shpalli luftë në mënyrë të njëanshme Danimarkës.
Pas disfatës së Napoleonit dhe rikthimit të Ferdinandit VII në Spanjë, banorët e Hueskar harruan se ishin në luftë me Danimarkën, e cila nga ana e tij nuk kishte asgjë dijeni për këtë konflikt, që nuk u zhvillua kurrë në terren. Çështja u la në harresë në arkivat e pluhurosura të qytetit, deri në gushtin e vitit 1981, kur studiuesi Vicente Gonzalez Barberan, gjeti kopjen origjinale të deklaratës që shpallte luftën.
Barberan, e botoi historinë e kësaj lufte tepër të gjatë dhe ende në vazhdim, në një gazetë lokale.
Korrespondenti në Madrid i televizionit publik danez, shkoi me shpejtësi në Hueskar, për të informuar bashkatdhetarët e tij mbi një konflikt, për të cilin ata nuk ishin në dijeni.
Në fakt, lajmi se një qytet i vogël dhe i humbur në malet e Andaluzisë ishte në luftë me ta prej gati 200 vitesh, u trajtua me shumë humor në Danimarkë (por edhe në Spanjë). Pastaj, dëshira e thellë për paqe mes dy “armiqve” mbizotëroi mbi ironinë dhe që qeshurat që shkaktoi lajmi.
Kështu në nëntor 1981, 172 vjet pas shpalljes së luftës, Hueskar dhe Danimarka nënshkruan ndërprerjen e armiqësisë mes tyre. Armiqësi që në fakt, nuk kishte filluar ndonjëherë, por që gjithsesi ishte ende më mire që të mbaronte zyrtarisht.
Përveç ambasadorit danez (delegat për të nënshkruar traktatin), dhe gjithë stafit diplomatik të pranishëm në Spanjë, Hueskar mirëpriti rreth 10 mijë njerëz atë ditë, që erdhën për të festuar një “ngjarje” kaq të rëndësishme. Qindra danezë, të veshur si vikingët, harbuan nëpër rrugët e qytezës andaluze, ku shquheshin ende parrullat paralajmëruese dhe kërcënuese:Nëse ecën më tej do të vuash pasojat…
Dhe kush e di se çfarë pasoja të rënda patën njerëzit që hëngrën dhe pinë bollshëm atë ditë, pasi ndoqën nënshkrimin e traktatit…! Lufta më e gjatë në historinë e Spanjës, ishte më pak e përgjakshmja e parë ndonjëherë në histori. Ajo përfundoi, siç do të thoshin në Itali, me mish dhe verë. Sikur të ishin kështu të gjitha luftërat…
VanillaMag – Bota.al