18 vjet nga Marrëveshja e Ohrit

Marrëveshja Kornizë e Ohrit, që u nënshkrua para 18 vjetësh, është një kontratë shqiptaro-maqedonase për raportet e reja shoqëroro-politike dhe ndërtimin e mëtutjeshëm të shtetit të quajtur Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë – tash Maqedonia e Veriut.

Marketing

Kontrata u bë e mundshme pas konfliktit të armatosur në vitin 2001. Marrëveshja u realizua me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare, e cila dha kontributin për zgjidhje politike të krizës ndëretnike në vendin tonë fqinj.

Roli i bashkësisë ndërkombëtare për ndërprerjen e konfliktit dhe arritjen e marrëveshjes politike ishte i pazëvendësueshëm. Qysh gjatë zhvillimeve luftarake në IRJM, Unioni Evropian dhe SHBA, dërguan përfaqësuesit e tyre Francois Leotard dhe James Perdew, si ndërmjetësues për arritjen e paqes.

Pas negociatave të mundimshme me palët e konfrontuara, ata përgatitën dokumentin e ashtuquajtur “Versioni Draft i Dokumentit Kornizë”, të cilin më 7 korrik, 2001, ua dorëzuan katër liderëve, pjesëmarrës në Qeverinë e ish- Republikës Jugosllave të Maqedonisë dhe presidentit Boris Trajkovski.

Gjatë zhvillimit të negociatave në Ohër, faktori politik shqiptar startoi me pozicione euro-perëndimore. Nuk doli me kërkesa për ndarje territoriale, por për barazi të plotë etnike, që ishte në harmoni me parimet europerëndimore. Në fakt, kërkohej që karakteri multi-etnik i shoqërisë maqedonase të pasqyrohet në rregullimin shtetëror.

Ndërsa, pala maqedonase mbante pozicion ekskluziv duke refuzuar kërkesën që pasqyronte diversitetin objektiv të shoqërisë në konceptin e shtetit. Me fjalë tjera, përderisa pala maqedonase synonte të kontrollojë të drejtat kombëtare të shqiptarëve, pala shqiptare nuk ndërhynte në korpusin e të drejtave të maqedonasve.

Në momentin kur pritej që negociatat e Ohrit të marrin fund, qarqe të caktuara nacionaliste, qeveritare dhe joqeveritare maqedonase filluan të japin deklarata të pamatura, të cilat shkaktuan reagime të ashpra të përfaqësuesve ndërkombëtarë.

Këto deklarata përpiqeshin të minojnë procesin politik dhe projektin e marrëveshjes të hartuar nga ekspertët ndërkombëtarë. Por, qendrat e vendosjes ndërkombëtare ia bënë me dije palës maqedonase, se “rrugëdalje më të mirë, pos pajtimit dhe nënshkrimit të këtij dokumenti nuk ka”.

Negociatat shqiptaro-maqedonase në Ohër zgjatën rreth dhjetë ditë dhe përfunduan më 13 gusht 2001. Nën trysninë ndërkombëtare, konflikti shqiptaro-maqedonas u mbyll me Marrëveshjen Kornizë të Ohrit, nënshkruar në Shkup nga përfaqësuesit shqiptarë dhe maqedonas, që merrnin pjesë në koalicionin e zgjeruar qeveritar: Lupço Georgievski, Arbën Xhaferi, Branko Cërvenkovski dhe Imer Imeri.

Këtë marrëveshje e nënshkroi edhe kryetari i shtetit, Boris Trajkovski dhe ndërmjetësuesit euro-amerikanë, Leotard dhe Perdew.

Marrëveshja Kornizë e Ohrit përfshinë dhjetë pika kyçe:

1. Parimet themelore;

2. Ndërprerja e armiqësive;

3. Zhvillimi i pushtetit të decentralizuar;

4. Mos diskriminimi dhe përfaqësimi i drejtë;

5. Procedurat e posaçme kuvendore;

6. Arsimimi dhe përdorimi i gjuhëve;

7. Shprehja e identitetit;

8. Implementimi;

9. Anekset;

10. Dispozitat përfundimtare.

Marketing