Një video e publikuar në mediat sociale tregon momente dramatike lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur në Teksas ku një i ri i quajtur, Salvador Ramos, hyri i armatosur në një shkollë dhe qëlloi për vdekje 21 persona, 19 prej të cilëve janë fëmijë.
Në pamjet e publikuara nga Daily Mail shfaqen prindërit duke vrapuar të dëshpëruar drejt shkollës fillore Uvalde, vendi ku ndodhi ngjarja.
Videoja vjen pasi janë zbuluar detaje të mëtejshme në lidhje me një nga viktimat dhe autorin.
Raportohet se ndër 21 viktimat është dhe mësuesja e klasës së katërt Eva Mireles, e cila u vra së bashku me të paktën 19 fëmijë dhe një të rritur tjetër.
Autori 18-vjeçar ishte i armatosur me një pistoletë, një pushkë gjysmë automatike AR-15 dhe karikatorë me kapacitet të lartë kur hyri në shkollën Uvalde. Ai u qëllua për vdekje nga një agjent i Patrullës Kufitare, i cili e vrau atë teksa ishte i bllokuar dhe po shkëmbente të shtëna me oficerë të tjerë të Teksasit.
Adoleshenti qëlloi gjyshen e tij para se të kryente aktin e rëndë. Gjyshja u transportua me helikopter në spital dhe nuk dihet gjendja e saj.
Shefi i Policisë së Distriktit të Pavarur të Shkollës Uvalde, Pete Arredondo tha se të shtënat filluan në orën 11:32 me orën lokale të së martës dhe se hetuesit besojnë se sulmuesi “veproi i vetëm gjatë këtij krimi të tmerrshëm”.