Sot mbushen 19 vjet nga fillimi i luftës në Maqedoni, e cila pas zgjidhjes së kontestit të emrit me Greqinë tani quhet Republika e Maqedonisë së Veriut.
Dy vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë, ishin shqiptarët e Maqedonisë ata të cilët do të rrëmbenin armët, sërish nën siglën UÇK.
Ishte themeluar një tjetër ushtri, e cila do tentonte që me grykën e pushkës ta ndryshonte fatin shqiptar në ish-republikën jugosllave, aty ku elementi maqedonas prej dekadash ishte bërë dominues, e që në kushtet e reja të pavarësisë, e kishte thelluar ende shtypjen e elementit shqiptar.
Shqiptarët që gjeografikisht duhej të jetonin në këtë vend, fillimisht përmes aktit më të lartë të një shteti në vitin 1991 i humbën të drejtat të cilat, formalisht, i gëzonin me kushtetutën e vitit 1974.
Edhe pse Kushtetuta e vitit 1991 u miratua pa votat e deputetëve shqiptarë, rrjedha diskriminues shumëdimensional vazhdoi edhe më tutje.
Po ashtu në këtë kohë Maqedoninë e përfshiu papunësia, varfëria e skajshme, korrupsioni, krimi ekonomik dhe krizat e njëpasnjëshme ekonomike, që kishin marrë përmasa të mëdha.
Si rrjedhojë e lodhjes dhe mosbesimit që ndonjëherë mund të jetojnë bashkërisht shqiptarët dhe maqedonasit, Ushtria Çlirimtare Kombëtare vendosi që çështjen ta çojë deri në fund.
Përmes kësaj lufte u sensibilizua dhe mobilizua edhe faktori ndërkombëtar, përskaj atij politik shqiptar, i cili përmes përpjekjeve të ngjeshura diplomatike ndërmjet faktorit politik në pushtet, krahut ushtarak dhe atij ndërkombëtar, arritën që kësaj lufte t’i japin fund, përfundimin e të cilës e rrumbullaku an në tavolinën e bisedimeve me negociata ndërmjet palëve të infiltruar në vorbullën e kësaj lufte.
Konflikti çoi në marrëveshjen e famshme të Ohrit. Ajo është e ndërtuar mbi pesë parimet themelore, të cilat u bashkëshoqëruan me ndryshimet kushtetuese, të cilat konfirmuan shoqërinë shumë-etnike maqedonase dhe ku u sanksionua se shqiptarët janë etni shtet-formuese.
Marrëveshja kornizë synon zhvillimin e qetë dhe harmonik, duke respektuar njëkohësisht identitetin etnik dhe interesat e të gjithë qytetarëve të Maqedonisë.
Kjo garantohej përmes përmbajtjes së saj, ku decentralizimi ishte ndër pikat kryesore, pasi siguronte qeverisjen e tyre nga bashkësia më e madhe e popullatës që e përbën.
Marrëveshja e Ohrit detyron autoritetet e qeverisjes qendrore të garantojnë përfaqësimin e drejtë dhe mos diskriminimin. E reflektuar në ligj kjo pikë e marrëveshjes kërkonte që në punësimet në administratën publike të sigurohej përfaqësimi i drejtë i bashkësive në të gjitha organet qendrore dhe lokale publike dhe në të gjitha nivelet e punësimit në këto organe.
Përfaqësimi në Kushtetuese kërkohet të bëhet mbi proporcionin e përfaqësimit në Kuvend sipas etnive. Shqiptarët që përbëjnë mbi 30 % të popullsisë përmes Marrëveshjes së Ohrit iu garantohet e drejta e përdorimit si gjuhë zyrtare, krahas gjuhës maqedonase edhe ajo shqip, si dhe simbolet kombëtare.