20-vjetori i Marrëveshjes së Ohrit, Meta: Zbatimi i saj na afron me BE

Presidenti, Ilir Meta ka përkujtuar sot 20-vjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit.

Marketing

Kreu i shtetit vlerëson progresin e deritanishëm për respektimin e saj dhe inkurajon domosdoshmërinë e zbatimit të plotë si një mundësi e shkëlqyer për konsolidimin e mëtejshëm të paqes e harmonisë ndëretnike, për të forcuar marrëdhëniet, si dhe për t’u afruar më pranë njëri-tjetrit dhe Bashkimit Europian.

“Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut në këto dy dekada kanë qenë jo vetëm të përkushtuar për stabilitetin e vendit, por edhe garantë të integrimit euroatlantik të saj.

Respektimi i të gjitha lirive dhe të drejtave të tyre, sipas standardeve më të avancuara europiane, është thelbësor ndaj e nxis një pjesëmarrje më të madhe dhe më cilësore të shqiptarëve, si faktor shtetformues, në jetën sociale, administrative e politike të Maqedonisë së Veriut.

Përshëndetje vëllazërore dhe krenar për bashkëkombasit tanë, për rolin dhe angazhimin e tyre aktiv, konstruktiv dhe të pazëvendësueshëm për sovranitetin dhe integrimin euroatlantik të Maqedonisë së Veriut”, thotë Meta.