Ulja e ndjeshme e temperaturave ka bërë që reshjet në zonat malore të jenë në formën e borës, duke u bërë shkak për probleme të shumta në lëvizjen e mjeteve dhe furnizimin me energji.
Si pasojë e borës së madhe, by pass-i në Qafën e Murrizit u bë i pakalueshëm, ndërsa rreth 200 mjete u bllokuan për disa orë. 3 borëpastruese punuan nga të dyja krahët e rrugës, por reshjet me intensitet dhe era e forte sillte sërish dëborë.
Pas 5 orë përpjekje rruga u hap në mbrëmje dhe autokolona e makinave u zhbllokua.
Dy postoblloqe policie u vendosen në Tufinë dhe Klos, duke bërë devijimin e makinave nga rruga e vjetër Milot-Burrel.
Në këtë qark, edhe rruga Peshkopi-Lurë është e pakalueshme pasi trashësia e borës i kalon 20 cm. Disa makina mbetën të bllokuara edhe në Malin e Tomorrit, ndërsa policia dhe shërbimet zjarrfikëses u nisën drejt tyre për t’iu ardhur në ndihmë.
Për shkak të rënies së ortekëve, rruga është e pakalueshme për momentin drejt Thethit.
Në qarkun Korçës ka pasur reshje bore, trashësia e së cilës është 10-25 cm. Të gjitha akset rrugore janë të hapura.
1120 hektarë tokë në zonën e Nënshkodrës dhe 770 hektarë në Lezhë rezulton të jenë ende nën ujë. Por Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile bën të ditur se nuk paraqiten problematika të theksuara.
“Niveli i lumenjve është nën nivelin kritik, duke mos paraqitur problem për përmbytje në pjesën më të madhe të tyre. Hidrovoret janë gatishmëri dhe po punojnë me kapacitet të plotë dhe nuk paraqesin problem për përmbytje. Situata e emergjencës në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë është nën kontroll”.
Moti i keq i shoqëruar edhe me erë të fortë ka shkaktuar probleme edhe në rrjetin elektrik në disa zona rurale të qarqeve Tiranë, Elbasan, Kukës dhe Shkodër ku mbi 3 200 abonentë kanë mbetur pa energji.
Moti i keq vijon të bllokojë lundrimin e anijeve nga Durrësi drejt Barit të Italisë.