Zëvendëskryetari i Qeverisë për Çështje Evropiane, Bujar Osmani mori pjesë në shënimin e 21 vjetorit të çlirimit të Republikës së Kosovës, në kuadër të së cilës së bashku me Kryetaren e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, vizituan Muzeun “Blaca 99”.
“Dita e sotme – 12 Qershori, është ditë e cila simbolizon lirinë dhe drejtësinë, ditë e cila jo vetëm që shënon përfundimin e gjenocidit, por shënon edhe çlirimin faktik të Kosovës. Ditë që njëkohësisht paraqet shënimin e njërës pjesë të historisë tonë të përbashkët – periudhë për të cilën jam i bindur se e kemi lënë pas nesh; por edhe periudhë dhe ngjarje të cilat na përkujtojnë se sa e shtrenjtë është liria”- theksoi Osmani, duke potencuar se kjo ditë na ndërlidh edhe si popuj por edhe si fqinj më të afërt.“Në ditën e sotme para 21 vitesh, më shumë se 50 mijë përfaqësues të NATO-s filluan të vendosen në Kosovë, më së shumti përmes territorit të Republikës së Maqedonisë së Veriut; ndërkaq 3 ditë para, pikërisht në Kumanovë u nënshkrua Marrëveshja teknike-ushtarake, me çka ky operacion u miratua – shtoi Osmani.Në këtë kontekst ai potencoi se këto ngjarje paraqesin pika kthese në ndërtimin e realitetit të ri – Republika e Kosovës është shtet i pavarur, partner i respektuar dhe aleat i forcave perëndimore; vend i cili në mënyrë të pandalshme, hapëron drejtë anëtarësimit në NATO dhe në Bashkimin Evropian.Popujt tanë nuk e ndajnë vetëm historinë e përbashkët, por presin edhe të ardhmen e përbashkët të suksesshme dhe prosperuese. Për këtë arsye Kosova dhe qytetarët e saj duhet ta kenë në konsideratë mbështetjen tonë në realizimin e qëllimeve tona të përbashkëta, ambiciet tona evropiane dhe euro-atlantike – urime Ditën e Çlirimit!” – theksoi Osmani.