23 apo 26 futbollistë në Europian, UEFA merr vendimin përfundimtar

23 apo 26 futbollistë në Europianin e Gjermanisë? UEFA ka vendosur t’i japë fund dilemës së vetme të mbetur para startit të Kampionatit Europian, duke miratuar përfaqësimin e skuadrave me nga 26 futbollistë në listë.

Marketing

Qeveria Europiane e futbollit dëgjoi kërkesat e trajnerëve të përfaqësueseve që do të marrin pjesë në Europian, gjatë një seminari në fillim të muajit prill dhe vendosi të miratojë atë që shumica donte, një listë me 26 futbollistë.

Burime pranë UEFA-s bëjnë me dije se tashmë vendimi është marrë dhe hartuar, teksa pritet vetëm të firmoset nga presidenti Ceferin, para se të publikohet në faqen zyrtare të qeverisë Europiane.

Ky vendim është një lehtësim për trajnerët, që do të kenë mundësi të marrin më shumë futbollistë me vete dhe të jenë të përgatitur edhe për skenarë si dëmtimet, të cilat mund të jenë të shpeshta për shkak të një sezoni të ngarkuar.

Nga kjo listë “extra large” mund të lehtësohet jo pak edhe trajneri i Shqipërisë, Sylvinho, që do ta ketë më të lehtë të përzgjedhë 26 emra mes futbollistëve që ka në plan për të marrë në Gjermani, në mënyrë që mos lërë shumë të pakënaqur.