24-vjeçari dasmën e kishte më 15 gusht, me vetëdëshirë kishte lëshuar spitalin!

Dalin detaje të reja nga pasqyra epidemiologjike e 24-vjeçarit, i cili ishte ndër më të rinjtë në moshë që u regjistruan gjatë 24 orëve në Maqedoninë e Veriut.

Marketing

Sipas asaj që njofton SDK, ai kishte lëshuar spitalin edhe pse ishte në gjendje të rëndë shëndetësore dhe këtë siç bëjnë të ditur nga Ministria e Shëndetësisë, e ka bërë me vetëdëshirë.

Ai nuk ka qenë i vaksinuar dhe në sistem nuk janë regjistruar sëmundje shoqëruese.

Dasmën, ku dyshohet se u infektua me Covid-19 e ka mbajtur më 15 gusht, në hotel, kurse dje ka mbushur 24 vjet. Ka ndërruar jetë këtë mëngjes, në ora 08:00.

Nga MSh-ja thonë se pacienti është pranuar në Spital më 24 gusht, në repartin infektiv të Spitalit të Manastirit.

Ka pasur vështirësi në frymëmarrje dhe pas pranimit menjëherë është vendosur në terapi oksigjenike.

Pasi ka marrë terapinë, ka refuzuar hospitalizimin dhe ka nënshkruar deklaratë se dëshiron të dalë nga Spitali. Por, sërish është sjellë një ditë pas, më 25 gusht pasi gjendja i është përkeqësuar.

Si pasojë, sot në mëngjes ka ndërruar jetë.

Mes 36 viktimave të fundit, 11 janë nga Shkupi, 8 nga Tetova, 3 nga Kërçova dhe Strumica, dy nga Kumanova dhe Struga dhe nga një nga Gostivari, Resnja, Dibra, Koçani, Velesi, Vallandova dhe Makedonski Brod.