25 vjet nga Marrëveshja e Ohrit! Sot nisin aktivitetet dhe panel-diskutimet

25 vjet nga Marrëveshja e Ohrit! Sot nisin aktivitetet dhe panel-diskutimet

Nën patronazhin e Ministrisë së Marrëdhënieve Ndërmjet Bashkësive dhe ministrit Agon Ferati, sot dhe nesër, do të fillojnë një sërë aktivitetesh dhe diskutimesh në panel për të shënuar 25-vjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit.

 

20260812080957 big 730x400 81 1

Manifestimi  synon që 25-vjetori i Marrëveshjes së Ohrit të shërbejë jo vetëm si moment përkujtimi, por edhe si hapësirë për reflektim, debat dhe përcaktim të vizionit për të ardhmen.

Për më shumë se pesë orë, pjesëmarrësit do të diskutojnë tema që lidhen drejtpërdrejt me Marrëveshjen Kornizë të Ohrit, rëndësinë e saj për zhvillimin e shtetit dhe shoqërisë, marrëdhëniet ndërmjet komuniteteve, përvojat e 25 viteve të fundit, si dhe sfidat dhe mundësitë që e presin vendin në procesin e integrimit evropian.

Në fokus do të jenë edhe pyetjet se çfarë ka ndryshuar gjatë këtyre 25 viteve, cilat janë rezultatet e arritura, cilat sfida kanë mbetur ende për t’u adresuar dhe si mund të ndërtohet një shoqëri edhe më gjithëpërfshirëse, demokratike dhe evropiane.

Në panelet e diskutimit pritet të marrin pjesë figura të njohura publike, politike, akademike dhe shoqërore nga Maqedonia e Veriut dhe rajoni, duke krijuar një platformë rajonale për shkëmbimin e ideve dhe përvojave.

Një nga shtyllat kryesore të manifestimit do të jetë ndërlidhja mes përvojës, arritjeve dhe praktikave të 25 viteve të kaluara dhe vizionit për të ardhmen – me fokus në atë se si do të duken 25 vitet e ardhshme të Marrëveshjes së Ohrit dhe si do të ndërthuret ky vizion me rrugëtimin e Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit Evropian.

Diskutimet do të trajtojnë rëndësinë e dialogut, respektimit të të drejtave të komuniteteve, institucioneve demokratike, sundimit të ligjit dhe përfshirjes së të gjithë qytetarëve në proceset shtetërore si pjesë e vizionit evropian të vendit.

Organizatorët synojnë që përvjetori të mos mbetet vetëm një ngjarje simbolike, por të shndërrohet në një mundësi për të hapur diskutime konkrete mbi të ardhmen e vendit dhe mbi mënyrën se si përvoja e 25 viteve mund të shërbejë si bazë për një kapitull të ri.

Programi do të vazhdojë me manifestimin qendror, më 13 Gusht, me një ngjarje të veçantë në mbrëmje, e cila do të zhvillohet në sheshin kryesor të Shkupit, pranë Urës së Gurit.

Mbrëmja do të përfshijë koncert recital, ndërsa para publikut do të mbajnë fjalime edhe personalitete të larta shtetërore.

Kështu, dy ditët e manifestimit do të ndërthurin diskutimin politik dhe institucional me kulturën, duke i dhënë përvjetorit një dimension më të gjerë dhe duke e sjellë atë edhe më pranë qytetarëve.

25-vjetori i Marrëveshjes Kornizë të Ohrit vjen si një moment për të reflektuar mbi një prej marrëveshjeve më të rëndësishme në historinë e re politike të Maqedonisë së Veriut.

Manifestimi i 12 dhe 13 gushtit synon të sjellë në një hapësirë të përbashkët zëra të ndryshëm nga rajoni, për të diskutuar të kaluarën, për të analizuar të tashmen dhe, mbi të gjitha, për të folur për të ardhmen.

Nga Marrëveshja e Ohrit te perspektiva evropiane – dy ditë diskutime, ide, kulturë dhe mesazhe për një shoqëri më gjithëpërfshirëse dhe një të ardhme të përbashkët evropiane.

Nisma, nën patronatin e Ministrisë për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive dhe ministrit Agon Ferati, synon që 25-vjetori të shënohet si një moment i rëndësishëm i dialogut dhe reflektimit, por edhe si një mesazh se proceset e nisura 25 vite më parë duhet të vazhdojnë të ndërtohen përmes bashkëpunimit, dialogut dhe orientimit të qartë evropian. / Aktuale.mk

GIF
LAJME TË NGJAJSHME

TË FUNDIT

GIF