Drejtuesit e Universitetit të Tetovës, të udhëhequr nga Rektori, Prof. Dr. Vullnet Ameti, prorektori për Arsim, Prof. Dr. Reshat Qaili, prorektori për Shkencë, Prof. Dr. Hazir Pollozhani, prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Doc. Dr. Shefik Shehu, Sekretari i përgjithshëm, Adem Beadini, senatorë, dekanë, profesorë dhe studentë, të kryesuar nga kryetarja e Parlamentit Studentor, Eliesa Zhaku, në kuadër të agjendës zyrtare për shënimin e 25 vjetorit të themelimit të Universitetit, sot kanë bërë homazhe te busti i dëshmorit të arsimit shqip, Abdylselam Emini dhe te varri i themeluesit, Rektorit të parë dhe historik, Prof. Dr. Fadil Sulejmani. Udhëheqja e Universitetit, pedagogët dhe studentët, përmes homazheve e përkujtuan sakrificën sublime të Abdylselam Eminit, kontributin dhe punën titanike të Prof. Dr. Fadil Sulejmanit, themeluesit të këtij institucioni të arsimit të lartë në gjuhën shqipe.
Në një prononcim për media, prorektori për Arsim, Prof. Dr. Reshat Qaili, deklaroi se, në këtë vit jubilar nga njësitë akademike të UT-së janë realizuar disa aktivitete dhe janë në realizim e sipër edhe veprimtari të tjera që do të përmbyllen me akademinë solemne që do të mbahet në fillim të javës që vjen.
“Këtë vit Universiteti i Tetovës e shënon 25 vjetorin e themelimit të tij. Për nder të këtij jubileu, Universiteti ynë ka organizuar disa aktivitete, duke filluar me një ekspozitë dhe një shfaqje teatrale nga Fakulteti i Arteve, kurse ditën e sotme po bëhen homazhe te busti i dëshmorit të arsimit, Abdylselam Eminit, si dhe te varri Rektorit të parë, po ashtu edhe historik, Prof. Dr. Fadil Sulejmanit. Si aktivitet tjetër, që do të mbahet sot, janë garat sportive që organizohen nga Fakulteti i Kulturës Fizike. Shënimi 25 vjetorit do të mbyllet ditën e hënë me akademinë solemne, shpalosjen e shtatores së Rektorit të parë, Prof. Dr. Fadil Sulejmanit dhe lapidarit “Flakadani i Kujtesës” në Universitetin e Tetovës”, theksoi, Prof. Dr. Reshat Qahili.
Në rrethana tejet të vështira, por me vullnet të pathyeshëm, 25 vjet më parë, intelektualët shqiptarë me në krye profesor Fadil Sulejmanin e themeluan Universitetin e Tetovës, vatrën e arsimit shqip. Sot, pas një çerek shekulli, udhëheqësit e Universitetit, pedagogët dhe studentët e kujtojnë me pietet dhe admirim punën dhe kontributin historik të Rektorit të parë, Prof. Dr. Fadil Sulejmani, sikundër shprehin nderimet institucionale për Abdylselam Eminin, dëshmorin e këtij Universiteti, sakrifica e të cilit kurrë nuk do të harrohet. Universiteti i Tetovës për dy dekada e gjysmë ka njohur përparime të mëdha, e zhvillon me sukses veprimtarinë arsimore-shkencore, si dhe ka realizuar qindra projekte me interes për kombin tonë.