2674 qytetarë presin për të marrë shtetësi! Zv/ministri Bushi pohon se Ligji duhet të ndryshohet

Gjithsej 2674 qytetarë për momentin presin për marrje të shtetësisë së Maqedonisë së Veriut. 1800 prej këtyre aplikimeve gjenden në Agjencinë për Siguri Kombëtare, ku po bëhen kontrolle të sigurisë, tregon për TV21 zëvendësministri i Brendshëm, Nazim Bushi.

Marketing

Ai shprehet se Ministria e Brendshme nuk vendos nëse një qytetari t’i jepet ose jo shtetësia. Kryesorja për këtë vendim është Agjencia për Siguri Kombëtare. E njëjta nuk është nën kompetencë të MPB-së, po Bushi thotë se me drejtorin e Agjencisë janë zotuar për përgjigje sa më të shpejta.

“Para festave të Vitit të Ri kishim një takim me drejtorin e Agjencisë së sigurisë kombëtare ku tema kryesore ishte shtetësia dhe u zotuam se sa më shpejt të gjitha kërkesat që janë në Agjencinë e Sigurisë Kombëtare të përgjigjen në afat kohor, sa më të shpejtë ligjor”, u shpreh Nazim Bushi – zëvendësministër për Punë të Brendshme.

Në 4 vitet e fundit, periudhën 2017-2020, sipas të dhënave të MPB-së, gjithsej janë dhënë 2671 përgjigje pozitive për shtetësi. Aplikuesit më të mëdhenj janë shqiptarë.