Avokatët e një pjese të të akuzuarve për ngjarjet në Kuvend më 27 prill të vitit të kaluar, sot në fjalimet hyrëse para gjyqit e mohuan aktakuzën kundër klientëve të tyre. Avokatët pohojnë se të akuzuarit nuk kanë kryer kurrfarë veprash penale, ndërsa më së paku terrorizëm, prishjen e rendit kushtetues apo akt të dhunës.
Donço Nakov i cili është avokat i të akuzuarve Luben Arnaudov, Vllado Jovanovski dhe Bogdan Ilievski – Betmen dhe Abdulfeta Alimi, tha se ata nuk kanë kurrfarë faji dhe se ngarkohen për fjalë të thëna gjegjësisht kanë kryer “terrorizëm me fjalë, e jo me vepra”.
Arnaudov, i cili ngarkohet se e ka orientuar turmën në Kuvend, sipas Nakovit, nga vendi ku ka qenë nuk ka mundur ta orientojë, për shkak se vetëm atje ka mundur të shkojë dhe nuk ka pasur rrugë tjetër të mundshme të lëvizjes.
Për Vllado Jovanovskin, avokati tha se nuk ka bërë thirrje për dhunë por ka mbajtur fjalime me poezi dhe citate nga revolucionarë. Jovanovski ngarkohet se si organizator i “Për Maqedoni të përbashkët” e ka dërguar turmën para Kuvendit, por ai, sipas Nakovit, në deklaratë për një medium atë ditë ka thënë se është vetëm pjesëmarrës në protesta. Nuk ka mundur ta thërrasë turmën për shkak se nuk ka qenë atje, por i është marrë automjeti nga “shërbimi karrotrec” dhe nga ora 17:37 deri në orën 18:30 ka qenë në parking tek stacioni i ri hekurudhor dhe ka paguar gjobë. Kjo është konfirmuar nga policia dhe nga Parkingu i qytetit, tha Nakov.
Për Bogdan Ilievskin, madje, tha se vetë është paraqitur tek organet përndjekëse. Kur ka dëgjuar se po e kërkojnë ka qenë në Zvicër pasi i kishte lindur nip.
Ilievski, sipas Nakovit, 15 minuta ka qëndruar me shpinë të kthyer para policëve në shkallët në Kuvend dhe me duart të ngritura ka tentuar që ta qetësojë turmën. Theksoi edhe se gjatë 65 protestave të “Për Maqedoni të përbashkët” nuk ka pasur asnjë incident.
Për Abdulfeta Alimin, polic, i cili ngarkohet për dhënien e çelësit nga dera e mesme e Kuvendit njërit prej të akuzuarve, Nakov pohon se ajo derë nuk ka qenë e hapur dhe se Alimi vetëm ka qenë në punë dhe e ka pasur çelësin.
Alimi, sipas tij, në sallën 3 i ka mbrojtur deputetët dhe ka qenë në grupin që ka bërë mbrojtje para tyre. Ka arritur ta mbrojë Ziadin Selën dhe ta nxjerrë nga salla, ndërsa ka qenë edhe pjesë e personave që e kanë mbrojtur Zoran Zaevin kur është sulmuar dhe lënduar.
Edhe Elenko Millanov, avokat i Igor Durllovskit, Munir Pepiqit dhe Lupço Dimovskit, tha se ata nuk janë fajtorë dhe se do të dëshmojë se nuk kanë kurrfarë vepër penale.
“Vallë pjesëmarrja e qytetarëve në Kuvend pa kurrfarë akti të dhunës mund të trajtohet si tentim për rrënim të sistemit kushtetues”, pyeti Millanov.
Lupço Dimovski, sipas tij, nuk ka ndërmarrë kurrfarë veprimi, jo-qëllimisht ka bërë me duar, e jo që të orientojë dikë. Igor Durllovski, madje, aspak nuk ka qenë në grupin që ka lëvizur dhe hyrë në Kuvend, por ka ardhur gjysmë ore pas hyrjes së dhunshme dhe askënd nuk ka nxitur për dhunë. Ka qenë vetëm në sallën plenare ku nuk ka pasur dhunë.
Për Pepiqin tha se do të dëshmojë se aspak nuk ka qenë në sallën 3. Në protestën e “Për Maqedoni të përbashkët” Pepiq ka qenë zyrtarisht si i punësuar nga Agjencia për Zbulim dhe ka ndjekur një person. Ky person ka hyrë në Kuvend, madje edhe ai është dashur të hyjë së bashku me të.
Seanca e sotme gjyqësore do të vazhdojë me fjalë hyrëse të mbrojtjes dhe të akuzuarve të tjerë për ndodhitë në Kuvend më 27 prill.