Presidenti Gjorge Ivanov është i sigurt se dëshmitë e të akuzuarve për 27 prillin janë tentim për shpërqendrim të opinionit nga organizatorët e vërtetë të skenarit të dhunshëm vitin e kaluar. Një ditë pas dëshmisë të të akuzuarit Aleksandar Vasilevski-Ninxha se hyrja e përgjakshme është organizuar nga DSK dhe se gjoja janë përfshirë edhe persona nga kabineti i Ivanovit, presidenti tha se opinioni tashmë i beson një të akuzuari që dëshiron t’i shpëtojë burgut sesa Institucioneve.
Është përpjekje dëshpëruese që të shpërqendrohet opinioni nga organizatorët kryesorë nga ngjarjet e 27 prillit dhe të drejtohet drejt presidentit dhe kabinetit të tij- tha Ivanov.
Pasi Vasilevski dje pohonte se presidenti vitin e kaluar kishte planifikuar të shpallë gjendje lufte, Ivanov u përgjigj:
Le ta lexojnë Kushtetutën për të parë se kur shpallet gjendje lufte dhe kush e shpall atë. Ju jeni gazetarë dhe mund t’i pyetni se ku ishin gjeneralët atë ditë, ku ishte Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, ku ishte ndihmësi im, ku ishte ushtria dhe tashmë kemi një qeveri të re, një ministre të re, ka mundur në të gjithë këta muaj derisa është në pushtet të shohë çfarë ka në Ministrinë e Mbrojtjes për atë ditë. Dhe kjo thirrje se jam tërhequr, sepse ka pasur një reagim nga ambasadat e huaja, le të lajmërohen dhe le të tregojnë se kush ka reaguar dhe kush më ka kërkuar që të mos shpall gjendje lufte- pohoi Ivanovi.
I pandehuri Ninxha dje vuri në dukje se hyrja në Kuvend është koordinuar nga kati i tetë i ndërtesës së VMRO-DPMNE. Ai tha se ish-ministrja Biljana Brishkoska-Boshkovska e ka urdhëruar Trajko Veljanoskin, që deputetët t’i hapin dyert e parlamentit. Brishkoska – Boshkovska në një deklaratë për Telma tha se nëse e thirrin, do të jepte një deklaratë për pretendimet e Aleksandar Vasilevskit.
Prokurori publik mund të më thërret për deklaratë edhe atë që e kam për ta thënë do ta them para prokurorit publik- tha Biljana Brishkoska – Boshkovska.
Dje, Aleksandar Vasilevski – Ninxha, në mbrojtje të tij para gjykatës, theksoi se në ndërtesën e VMRO-DPMNE-së ka qenë, siç tha, një qendër paraushtarake nga ku janë dhënë urdhra për 27 prillin ndërsa ai ka marrë pjesë dhe ka qenë dëshmitar në bisedimet. Ai theksoi se koordinimin e kanë bërë Mile Janakieski, Kiril Bozinovski, Spiro Ristovski, Mitko Cavkov, Biljana Brishkoska, ndërsa në sallë kinse kanë qenë të pranishëm edhe Boris Josifovski nga kabineti i presidentit Ivanov, si dhe ish-drejtori i DSK-së Vladimir Atanasovski.