Gjykimi për organizatorët e dhunës në Kuvend u anulua. Të akuzuarit dhe avokatët nuk i kanë parë të gjitha dëshmitë, ose një pjesë të materialit që ishin dëshmi edhe në rastin e mëparshëm të ndërhyrjes së përgjakshme në Parlament, tre vjet më parë. Në bankën e të akuzuarve sot u ulën ish kryetari i parlamentit Trajko Veljanoski, ish-ministrat Mile Janakieski dhe Spiro Ristovski, si dhe ish drejtori i DSK-së Vladimir Atanasovski. Prokurorja Villma Ruskovska, e cila përfaqëson aktakuzën, zbuloi se të pandehurit kanë paraqitur nga 300 dëshmitarë.
“Secili nga të pandehurit, me këto parashtrime të fundit që i kanë bërë, kanë kërkuar nga 300 dëshmitarë për secilin prej tyre. Pra, mendoj se gjykata absolutisht nuk ka pse ti pranojë të gjithë dëshmitarët, normalisht pa e shkelur të drejtën e mbrojtjes, pra gjithçka varet nga kjo”, tha Villma Ruskovska, prokurore.
A po flasim për 300 dëshmitarë, për një të akuzuar?
Po, po, po”-theksoi Ruskoska.
Avokati Jordan Apostolski, i cili e mbron ish-drejtorin e DSK-së Vlladimir Atanasovski, beson se aktakuza e Ruskovskës qëndron në “këmbë të qelqta”.
“Nuk ka asnjë mbështetje, por ne vlerësojmë se në këtë mënyrë klientët tanë janë viktima, vetëm që mos të zbulohet se cila është e vërteta në këtë rast.Mendoni që të mbrohen porositësit e vërtetë? Ne mendojmë se autorët e vërtetë nuk janë identifikuar, por është bërë vetëm një përpjekje për të fshehur disa persona të tjerë, që në histori të shënohen këto persona, si porositës”, tha Jordan Apostolski, avokat.
Veljanoski, Janakieski, Ristovski dhe Atanasovski akuzohen për terrorizëm që rrezikon rendin dhe sigurinë kushtetuese. Sipas prokurorisë, në vitin 2017, pas dështimit të VMRO – DPMNE për të formuar Qeveri, ata kanë organizuar dhunë për të parandaluar dorëzimin paqësor të pushtetit. Deri më tani, Nikolla Gruevski, i cili është në arrati në Hungari, nuk përgjigjet për rastin, si dhe ish-agjenti sekret Nikolla Boshkovski, i cili iku dhe kërkoi azil në Greqi. Në një proces të mëparshëm, për 27 Prillin, u dënuan 16 persona me gjithsej 211 vjet burg. 15 të tjerë u amnistuan, përfshirë deputetët e VMRO – DPMNE-së, që hapën dyert e parlamentit dhe e drejtuan turmën brenda. Seanca dëgjimore e radhës për organizatorët është caktuar për ditën e mërkurë. Alsat