27 vjetori i Ushtrisë së Maqedonisë së Veriut, shqiptarët sa janë të përfaqësuar?

Në Maqedoninë e Veriut përmes aktiviteteve të ndryshme gjatë fundjavës u shënua 27 vjetori i ushtrisë së vendit e quajtur tashmë me emrin e ri si Armata e Republikës së Maqedonisë së Veriut, përcjellë INA.

Marketing

Presidenti i vendit, Stevo Pendarovski nga Ohri, ku u shënua ceremonia qëndrore e Ditës së Armatës tha që pas zgjidhjes së mosmarrëveshjes për emrin dhe nënshkrimit të Marrëveshjes së Prespës, Maqedonia e Veriut është në vetëm një hap drejt këtij qëllimi strategjik, anëtarësimit në NATO.
Por një nga temat vazhdimisht që është trajtuar dhe ka nxitur interesim të opinionit është përfaqësimi i shqiptarëve në ARM si komuniteti i dytë në vend. Ministria e Mbrojtjes nuk ka ndonjë shifër konkrete, por vazhdimisht është nënvizuar se po punohet për rritjen e përfaqësimit.

Janë shifra të ndryshme, 16, 17 apo 19 për qind.

Stevo Pendarovski, gjatë kohës si koordinator qeveritar për në NATO vitin e kaluar theksoi se ka ndryshim të qasjes dhe zotim se do të arrihet përfaqësimi i duhur i shqiptarëve.

“Ne kemi profil ndryshe nga qeverisja e kaluar. 16 apo 17 % janë shifrat që nuk kanë ndryshuar gjatë 10 viteve të kaluara. Unë mendoj se Zaev se ka një qasje tjetër në këtë drejtim për dallim nga ish-kryeministri Nikolla Gruevski. Dhe këtë do ta dëshmojë pasi që do të përfundojnë problemet politike që ka vendi për të zgjidhur. Do të kenë mundësi shqiptarët të jenë më inkluziv në të gjitha nivelet e shtetit, edhe në mbrojtje. Kjo do të përshpejtohet kur do të përfundojë procesi i qasjes për në NATO. “, theksoi atëkohë Pendarovski, i cili tashmë është ulur në kolltukun e kreut të shtetit dhe njëherit është edhe komandant i forcave të armatosura.

Zv/ministri i mbrojtjes nga radhët e BDI-së, Bekim Maksuti kohë më parë ka theksuar se gjërat kanë ndryshuar jo vetëm në Ministrinë e Mbrojtjes por edhe në Armatë, ku numri i shqiptarëve aktualisht arrin në 1440 të punësuar ose 19.04%.

Ruzhdi Matoshi nga Departmaneti i Mbrojtjes i ASH-së ka theksuar se shqiptarët nuk janë të përfaqësuar në strukturat e mbrojtjes dhe shtetit ka qasje diskriminuese.
“Sipas statistikave zyrtare, numri i oficerëve është vetëm 11%. Nga 10 gjeneral që ka vendi, kemi vetëm 1 shqiptarë. Maqedonia nga pavarësimi i saj, ka vetëm një atashe ushtarak shqiptarë në diplomacinë ushtarake. Në zyrën e NATO-s nuk kemi asnjë oficerë shqiptarë që duhet të jetë pjesë e stafit. Dmth shifet një shpërfillje e kualitetit, ne kërkojmë që kualiteti dhe kuantiteti të mbrohen në bazë të ligjeve që janë, por ato nuk po zbatohen. Duke filluar nga ministrja, nga 15 këshilltarët shtetëror që ka vetëm dy janë shqiptarë. Nga organogrami ministrisë së mbrojtjes nga 17 sektorë vetëm dy janë shqiptarë.”, thekson Matoshi. Në këtë përvjetor të 27-të, shumica e mediave publike kanë anashkaluar të trajtojnë temën e përfaqësimit. (INA)