28 subjekte politike në garë, zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e Pavarësisë

Rreth dy milionë qytetarë me të drejtë vote, do u drejtohen kutive të votimit prej orës 07.00 të mëngjesit në Kosovë, për të zgjedhur 120 ligjvënës mes 28 subjekteve politike në zgjedhjet parlamentare, të nëntat me radhë që nga përfundimi i luftës së viteve 1998-1999, që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s.

Marketing

Mes 28 subjekteve politike janë 20 parti politike, pesë koalicione, dy iniciativa qytetare dhe një kandidat i pavarur. Në mesin e këtyre subjekteve, përpos partive shqiptare, marrin pjesë edhe subjekte politike nga komuniteti serb, turk, boshnjak dhe komunitete të tjera më të vogla në vend.

Numri i shtetasve të Kosovës me të drejtë vote është 2.075.868 votues. Numri i votuesve të rinj që do të mund të votojnë për herë të parë është 125.852 persona.

Ndryshe nga zgjedhjet e kaluara, kur heshtja zgjedhore fillonte një ditë para votimeve, me ndryshimet ligjore të këtij viti, ajo tashmë ka nisur para hapjes së qendrave të votimit – pra sot, në orën 07:00 dhe do të zgjasë deri në mbylljen e tyre, në orën 19:00.

Në këto zgjedhje, qytetarët me të drejtë vote kanë mundësinë që të zgjedhin një subjekt politik dhe deri në dhjetë kandidatë për deputetë, ndryshe nga votimet e kaluara kur mundësia ishte të zgjidheshin deri në pesë kandidatë.

Zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit do të monitorohen nga mbi 100 vëzhgues të Bashkimit Evropian. Ato janë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e pavarësisë më 2008. Deri më tani, në vend janë mbajtur një sërë zgjedhjesh të parakohshme.