3 raste të reja me kollën e keqe në vend, duke e çuar në 141 numrin e të prekurve. Shumica e të infektuarve janë në territorin e Shkupit. Ndërkohë Ministria e Shëndetësisë pranoi rekomandimet e Komisionit për Sëmundje Infektive për parandalimin e përhapjes së kollës së keqe.
Pas vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë, Inspektorati Shëndetësor duhet të bëjë kontrolle të jashtëzakonshme nëpër çerdhet e vendit dhe të ndalojë pranimin e fëmijëve të pavaksinuar. Do të kontrollohen kartonët e vaksinimit, të siguruar nga pikat e imunizimit.
Ministria e Shëndetësisë u bëri thirrje prindërve që të vaksinojnë fëmijët e tyre si mënyra më e mirë mbrojtëse.
Megjithatë një pjesë e prindërve refuzojnë të vaksinojnë fëmijët e tyre dhe përballen me gjobë nga 300 deri 650 euro.
Sipas Inspektoratit Shëndetësor-Sanitar deri më tani janë shqiptuar gjoba të shumta. Një pjesë e prindërve paguajnë gjobën dhe sërish nuk i vaksinojnë fëmijët, ndërsa pjesa tjetër përfundon në gjyq.
“Ashtu siç na i dërgojnë listat e prindërve nga pikat e vaksinimit, me emrin dhe mbiemrin e fëmijëve, me të dhëna personale, i thërrasim dhe kemi gjobitur shumë. Por çështja më e rëndësishme është se cili është përfundimi. Një pjesë e prindërve pajtohen dhe paguajnë gjobën, por me këtë nuk kemi zgjidhur problemin pasi fëmijët mbeten të pavaksinuar. Nga ana tjetër, ka prindër të cilët nuk dëshirojnë ta paguajnë gjobën dhe përfundojnë në gjyq”
Një ditë më parë Komisioni i Sëmundjeve Infektive njoftoi se pikat e vaksinimit në Shkup, ku dhe ka numër më të madh të të infektuarve do të punojnë në dy turne. Ndërkohë nga 15 marsi pritet fillimi i vaksinimit edhe i të rriturve.