30% e pushtetit do t’i takojë VLEN-it? Në tryezë edhe kryeparlamentari dhe zgjidhje për rastet e montuara

Burime partiake kanë treguar për TV21 ato që po fliten mes VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit VLEN në negociatat për qeverinë e re. Burimet tregojnë se VLEN do të ketë deri në 30% të pushtetit, përfshirë këtu edhe postin e kryetarit të Kuvendit edhe pse një gjë e tillë ende nuk është definuar. Sipas burimeve, dy kandidatët e mundshëm të VLEN-it për këtë post janë kryetari i Alternativës Afrim Gashi dhe Halil Snopçe nga ASH krahu i Taravarit.

Marketing

Përpos ndarjes së resorëve, jo zyrtarisht mësohet se mes dy koalicioneve është biseduar ideja që për rastet që konsiderohen si raste të montuara tek shqiptarët si rasti “Alfa” dhe “Monstra” si kërkesë e VLEN, dhe bashkë me rastin e “27 prillit” si kërkesë e VMRO-së, të gjendet zgjidhje ligjore që të dënuarit të lirohen.

Për të gjitha këto dërguam pyetje deri te të dy palët, edhe VLEN edhe VMRO-DPMNE mirëpo nga asnjëra prej tyre nuk morën konfirmim.

Sa i përket resorëve, të dy grupet punuese pritet të flasin në takimin e dytë e cila do të mbahet ditëve në vazhdim.

Takimin e fundit e mbajtën dje në selinë e VMRO-DPMNE-së. Ky ishte takimi i parë në nivel të grupeve punuese. Në takim, siç kumtuan dy kampet, është theksuar nevoja për mbajtjen e përcaktimeve programore, të kihet kujdes me principet e dakorduara, dinamizmi i fuqishëm i integrimeve të BE-së, dhe lufta e pa kompromis kundër korrupsionit. Gjithashtu njoftuan se për resorët do të diskutohet ditët ne vazhdim.

Kreu i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski tha se takimi është zhvilluar në drejtim të duhur, ndërsa shtoi se së bashku me VLEN-in do të synojnë të konsolidojnë 2/3 në Kuvend, gjegjësisht 80 deputet.